Policia e Kosovës ka ndaluar dhe ndëshkuar dy shoferë të rinj në Ferizaj, të cilët u kapën duke zhvilluar gara shpejtësie në rrugën “Driton Islami”, rreth orës 23:45 të datës 19 gusht 2025.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë Rajonale të Ferizajt, shoferët L.Q. dhe Y.T., të dy 19 vjeç dhe me vetura të tipit BMW me targa të huaja, janë kapur në flagrancë duke rrezikuar sigurinë publike në trafik.
“Shoferi L.Q. është kapur në flagrancë duke garuar me një veturë tjetër. Atij i është shqiptuar gjoba prej 1000 eurosh”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, shoferi tjetër Y.T. është përballur me një sërë masash ndëshkuese: gjobë prej 500 eurosh për pjesëmarrje në gara shpejtësie, ndalim i të drejtës për të drejtuar automjet në territorin e Republikës së Kosovës për 12 muaj, si dhe një gjobë shtesë prej 500 eurosh dhe masë mbrojtëse prej 6 muajsh ndalim drejtimi, për shkak të një ndalim-drejtimi të mëhershëm që ishte në fuqi nga data 10.08 deri më 09.11.2025.
“Gjithashtu, ndaj tij është ndërmarrë masa e konfiskimit të automjetit,” njofton policia.
Policia e Ferizajt thekson se rasti është trajtuar si kundërvajtje e rëndë dhe u bën thirrje të gjithë shoferëve që të respektojnë rregullat e komunikacionit rrugor për të shmangur rrezikimin e jetës në trafik.
“Apelojmë tek të gjithë shoferët që të kenë kujdes dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit rrugor, në mënyrë që të shmangen rastet e rrezikimit të jetës së pjesëmarrësve në trafik,” thuhet në njoftim.