Shkëlzen Gashi, aktivist, ka folur të enjten në “Pressing” të T7, për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, në të cilat është përfshirë direkt kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili ka mbajtur anën e opozitës shqiptare.
Gashi ka thënë se arsyeja kryesore publike e përfshirjes së Kurtit në këto zgjedhje ka qenë që të mos jetësohet Ballkani i Hapur – ai thotë se Kurti iu ka thënë politikanëve që i mbështeti se “nëse arrini pushtetin të mos mbështetet Ballkani i Hapur”.
Sipas Gashit, Kurti nuk ka qenë shumë i angazhuar në fushatë zgjedhore atje, duke thënë se për dallim nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama që sipas tij ishte përfshirë indirekt, Kurti këtë e bëri direkt.
“Ky është një sukses i Albin Kurtit, sepse ai ka hyrë në ato zgjedhje, është përzier direkt – jo sikur Rama indirekt. Por nuk është angazhuar shumë, është angazhuar shumë pak. I ka bërë 2-3 fotografi me ta, para 3-4 dite nuk iu shkojë në Shkup. Edhe këta persona me sa e pash që nuk kanë qenë shumë të angazhun në politikë me sa unë e di edhe arritën me i marra gati 10%”.
“Për mua çfarë është e rëndësishme është pse është angazhuar Kurti atje, cila ka qenë arsyeja e tij së paku ajo që ka qenë publikisht. Ai ka kërkuar nga ata që i ka mbështetur se nëse vini në pushtet Ballkanin e Hapur mos e mbështetni. Këtu me sa kam mundur me pa edhe Bujar Osmani e ka premtu gjatë fushatës elektorale se nëse vijmë në pushtet Ballkanin e Hapur nuk e mbështesim”, ka thënë Gashi.