Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se nuk e dinë se cila është preambula e marrëveshjes e cila u arrit në mes Kosovës e Serbisë më 27 shkurt, teksa paralajmëroi kontestim ligjor, nëse kjo është e mundshme.
Gashi e kritikoi kryeministrin e vendit, Albin Kurtin, për të cilin tha se produkti i punës së tij është rezultati më i dobët i negociatave në historinë e re të Kosovës.
Ai në Rubikon në Klan Kosova foli edhe për pikën 7 të planit evropian, për të cilën pikë tha se e sheh si shumë problematike e të paqartë.
“Pres që nesër Kurti të jep sqarime për këtë çështje. Ai duhet ta sqaroj se çka është vetmenaxhimi sipas praktikave të Këshillit të Evropës, sepse praktikat e Këshillit të Evropës e kanë kartën evropiane të vet-qeverisjes lokale, të cilën ne e kemi pjesë të ligjit për vet-qeverisje lokale dhe e njohim me kushtetutë”, është shprehur Gashi.
Gashi tha se LDK-ja duhet ta kundërshtoj me çdo mekanizëm që është i mundshëm, në mënyrë që sipas tij, ta parandalojnë ose minimizojnë atë që ai e quajti rrezik për Kosovën.
“Nëse nuk është i mundshëm kontestimi ligjor, atëherë duhet të shohim se cilët janë mekanizmat që mund ta kundërshtojmë dhe të mbërrijmë që ta parandalojmë rrezikun, ose në shkallën më të mirë të mundshme, ta minimizojmë”, është shprehur Gashi,