Shefi e deputetëve të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se kjo parti nuk është kundër themelimit të Byrosë Shtetërorë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
“Po, Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme; jo ndërhyrjeve politike, jo veprimeve kundërkushtetuese dhe jo mospërfilljeve të opinioneve të Komisionit të Venecias”, ka shkruar Gashi në Facebook.
Ai thotë se Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duhet të themelohet në përputhje me opinionet e Komisionit të Venecias.
“Na duhet ndërtimi i një sistemi që nuk ndikohet nga urdhrat politik e nga cilado qeveri kurdoherë”.
I pari i deputetëve të LDK-së madje thotë se propozimi i parë për një agjenci të tillë ishte i LDK-së.
“Fillimisht duhet kujtuar se propozimi i parë për themelimin e Byrosë Shtetërore të Hetimit është propozim i LDK-së, gjë që dëshmon seriozitetin dhe mbështetjen tonë për një agjenci të tillë.
Ideja e shfaqur nga unë për themelimin e këtij institucioni ka dalë si rezultat i një sistemi ku: Agjencia Kundër Korrupsionit, Prokuroria në të gjitha nivelet e saj, Inteligjenca Financiare, Task Forca Speciale dhe Policia, merren me të njëjtën gjë – korrupsionin dhe elementet e tij.”
Megjithatë deputeti shton se shumësia e institucioneve që merren me korrupsionin ka bërë të mundur që jo rrallë herë, për të njëjtin rast, me apo pa qëllim, institucioni përkatës ia ka marrë apo i ka ndërhyrë tjetrit duke e ngatërruar rastin, ku sipas tij në fund ka ndikuar negativisht në efikasitet dhe rezultat.
“Ndaj dhe atëherë është menduar se si duhet ndërtuar një sistem efikas, si Byroja Shtetërore e Hetimit, mirëpo jo duke e krijuar atë si super institucion mbi institucionet shtetërore dhe ligjore, por një organ kolegjial koordinues, me ç’rast secili prej institucioneve do ta kishte përfaqësuesin e saj brenda. Pra, duke e ndërtuar një sistem të organizuar, pa e përfshirë Gjykatën si institucion të pavarur, e cila duhet të gjykoj veprimet ose mosveprimet e ekzekutivit”.
“Vendit tonë i duhet një sistem që garanton barazi e drejtësi, ku pamundëson ndërhyrjet dhe ndikimin e urdhrave politikë. Nuk na duhet një propozim që bie ndesh me opinionet e Komisionit të Venecias dhe është kundërkushtetues”, ka shtuar tutje Gashi.
Opozitari mendon se duhet të ketë sa më pak politik e sa më shumë profesionalizëm dhe ide që kanë të bëjnë me efikasitetin e Byrosë.