Kandidati për kryetar të Komunës së Obiliqit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, njëkohësisht kryetar aktual, Xhafer Gashi, ka prezantuar planprogramin e tij qeverisës për një mandat të ri.
Në paraqitjen e tij në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, Gashi tha se platforma e qeverisjes bazohet në tri shtylla kryesore, qeverisje lokale me transparencë, zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe qeverisje për të gjithë.
“Platforma jonë përfshin 126 aktivitete dhe projekte konkrete, ndërsa kemi përzgjedhur 6 prej tyre si kryesore. Faza e dytë e ngrohjes qendrore, ndërtimi i pishinës gjysmë-olimpike, ndërtimi i parkingut mbitokësor në rrugën ‘Adem Jashari’, zgjerimi i sheshit ‘Dëshmorët e Kombit’, zhvendosja e stacionit të policisë, si dhe ndërtimi i sallës së edukatës fizike në Breznicë janë disa nga prioritetet tona”, u shpreh Gashi.
Ai shtoi se planprogrami i tij përfshin gjithashtu fusha të tjera si arsimi, shëndetësia, infrastruktura, rinia, sporti, kultura, bujqësia, zhvillimi urban, shërbimet publike dhe administrata komunale.