Gastronomët me vështirësi kanë përballuar reduktimet e energjisë elektrike të zbatuara nga 15 gushti, Megjithatë KEDS sot njoftoi se nga 1 shtatori do të ketë stabilitet në furnizim.
Gastronomët mezi përballuan problemet që ua shkaktoi pandemia Covid-19 vitin e kaluar, por sivjet kanë një problem tjetër. Ata nuk po mund të punojnë me kapacitete të plota për shkak të reduktimeve me energjinë elektrike.
Arian Vranica, thotë se shumica e lokaleve janë zënë të papërgatitura sa i përket ndaljes së rrymës. Ai thotë se me ndaljen e energjisë elektrike, përveç dëmtimit të mallit në lokale, mund të ketë edhe dëmtime të pajisjeve.
Megjithatë, për ta dhe qytetarët sot erdhi një lajm i mirë nga KEDS, për stabilizimin e furnizimit me energji elektrike nga 1 shtatori.
Sipas zëdhënësit të KEDS, Viktor Buzhala, sa i përket vonesave të rrymës që po ndodhin nganjëherë, ai thotë se shkak është volumi i madh i shkyçjeve të daljeve.
“Nga volumi i madh i shkyçjeve të daljeve, është e pamundshme që ato të kryhen për të njëjtën kohë”, ka deklaruar ai për T7.
Buzhala apelon të gjithë konsumatorët që të kursejnë maksimalisht energjinë elektrike.