Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, ka thënë se barrikadat në veri nuk janë problem, sipas saj, problem janë sjelljet e kryeministrit të vendit Albin Kurti.
Sipas Gaxherrit, barrikadat të vendosura në veri janë politike dhe sipas saj, ato mund të largohen në pajtim me KFOR-in, NATO-n dhe SHBA-në.
“Krejt kjo mund të ndodhë në pajtim me KFOR-in, me NATO-n, me ShBA-në, nuk është ndonjë problem ato barrikada ato janë krejt politike, sjelljet e kryeministrit janë problem pikërisht sjelljet e tij për të shkaktuar këtë krizë që u bë pa nevojë”, tha ajo.
E ftuar në Tëvë1, anëtarja e LDK-së, tha se Vetëvendosje që tanimë është në pushtet ka përfituar nga situatat edhe kur nuk është dashtë.
“Ju e dini të gjithë ne e kemi pasë Vetëvendosjen një kohë të gjatë në opozitë dhe vërtetë kemi pasë jo vetëm kundërshtime, por kemi pasë edhe akuza të rënda deri në tradhtarë për aspektin e veriut edhe por secili subjekt politik kur është fjala në raport me Serbinë. Dhe qysh po e shihni dhe tash VV-ja, nuk ka opozitë në raport me dialogun me Serbinë dhe çështjet nacionale, ndërsa Vetëvendosja nuk ka qenë e tillë, ka qenë një subjekt politik i cili ka përfitu edhe kur s’është dashtë. Dmth gjithmonë e ka shfrytëzu çdo situatë për të përfituar dhe unë po them se kemi pasë barrikada shumë më të mëdhaja ose më të fuqishme të cilat janë largu problemi”, tha ajo.