Të paktën tetë mjekë të Kryqit të Kuq kanë mbetur të vrarë derisa ishin në detyrë në Rafah të Gazës jugore.
Ekipi i ambulancës prej nëntë personash është përfshirë nga zjarri në al-Hashashin më 23 mars.
Kështu ka njoftuar Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.
Trupat e tyre u morën të dielën pasi qasja iu mohua për një javë. Një mjek është ende i zhdukur.
Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Palestinës ka thënë se trupat e stafit të tyre u zbuluan së bashku me ato të gjashtë anëtarëve të agjencisë së mbrojtjes civile të drejtuar nga Hamasi dhe një punonjësi të OKB-së.
Ende nuk është bërë e ditur se kush e ka shkaktuar zjarrin, megjithatë Hamasi ka fajësuar Forcat e Mbrojtjes të Izraelit për sulmin.
Organizata i identifikoi të vrarët si Mostafa Khufaga, Saleh Muamer dhe Ezzedine Shaath, dhe vullnetarët përgjegjës të parë Mohammad Bahloul, Mohammed al-Heila, Ashraf Abu Labda, Raed al-Sharif dhe Rifatt Radëan, ndërsa Assad Al-Nassasra është ende i zhdukur.
“Këta punëtorë të përkushtuar të ambulancës po u përgjigjeshin njerëzve të plagosur. Ata ishin humanitarë. Mbanin emblema që duhej t’i mbronin; ambulancat e tyre ishin të shënuara qartë. Edhe në zonat më komplekse të konfliktit ka rregulla. Këto rregulla të së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare nuk mund të jenë më të qarta – civilët duhet të mbrohen; humanitarët duhet të mbrohen. Shërbimet shëndetësore duhet të mbrohen”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq, Jagan Chapagain.
Agjencia e lajmeve AFP raportoi se të shtunën ushtria izraelite pranoi që ka qëlluar mbi ambulancat në jug të Gazës të dielën e kaluar, pasi i identifikoi ato si “automjete të dyshimta”.
Ushtria shtoi se pas një hetimi fillestar, u konstatua se disa nga automjetet e dyshimta ishin ambulanca dhe kamionë zjarrfikës.