Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka kohë që po përpiqet të distancohet nga presidenti rus Vladimir Putin. Vuçiç nuk është i gatshëm të intensifikojë lidhjet me Rusinë në mes të kësaj lufte dhe të shkatërrojë ekonominë serbe, shkruan e përditshmja gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ).
Sipas gazetës, tregues janë edhe raportet dhe vlerësimet e herëpashershme kritike në “perandorinë e televizioneve, portaleve dhe tabloideve të drejtuar nga bashkëpunëtorët e Vuçiçit dhe që raportojnë gjithmonë si të dojë ai”.
“Ndonjëherë këndohen vetëm himne kur bëhet fjalë për Putinin. Afërsia vëllazërore e serbëve dhe rusëve theksohej vazhdimisht në këto media. Tani kjo nuk është më plotësisht kështu”, shkruan FAZ.
“Tone të tilla tregojnë se presidenti i Serbisë nuk është vetëm në radhë të parë një ideolog, por edhe një njeri i fuqishëm pragmatik. Nuk ka kundërshtime për vëllazërinë me Rusinë kur përdoret në politikën e tij të brendshme. “Por në mes të luftës, ai nuk dëshiron të hyjë në një vëllazëri gjaku me Rusinë, e cila përfundimisht mund të shkatërrojë ekonominë serbe”, vlerëson e përditshmja.
Gazeta shkruan gjithashtu se Vuçiç së fundmi vizitoi në mënyrë “demonstrative” refugjatët ukrainas në jug të Serbisë, i mirëpriti dhe u ofroi të gjithëve ndihmë. “Deklarata dhe gjeste të tilla ndryshojnë dukshëm nga tonet e ditëve të para të luftës, kur një gazetë veçanërisht besnike ndaj presidentit botoi titullin “Ukraina sulmoi Rusinë”, shkruan FAZ.
Kjo gjysmë kthesë, shkruan FAZ, tregon se në kushtet aktuale është shumë e vështirë të ruhet politika e Vuçiçit mes mes Lindjes dhe Perëndimit.
Dëshmi e kësaj është pikëpyetja e madhe nëse kancelari gjerman Olaf Scholz do ta vizitojë Serbinë, shkruan e përditshmja, duke shtuar se në rrugët e Beogradit dëgjohet se ajo vizitë nuk do të bëhen nëse Serbia e priste fillimisht ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov.
Gazeta shkruan se në prag të vizitës së anuluar të Lavrovit, Vuçiç tha se mungesa e Scholz-it do të ishte një lajm i keq dhe në mënyrë profetike tha: “Të shohim nëse Lavrov do të mund të vijë fillimisht dhe pastaj të vlerësojmë situatën”.
Duke vënë në dukje se Lavrov e vlerësoi në mars vendimin e Serbisë për të mos iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, FAZ vlerëson se tani mund të ndodhë që Kremlini të mos i pëlqejë disa vendime të ardhshme të Serbisë.
E përditshmja gjermane kujton se në vitin 2017, Vuçiç citoi një thënie që i atribuohet shkrimtarit amerikan Ambrose Beers, se “lufta është mënyra e Zotit për t’u mësuar njerëzve gjeografinë“.
“Këto ditë edhe rusofilët serbë kanë marrë një mësime gjeografie – Serbia mund të kufizohet me Rusinë në imagjinatën e tyre, por jo në hartë. Vuçiç e dinte këtë të vërtetë të thjeshtë edhe më parë, dhe ndoshta tani do të veprojë në përputhje me të”, përfundon FAZ.