400 kg kokainë janë sekuestruar sot në Kosovë. Mësohet se operacioni është kryer në bashkëpunim mes policisë shqiptare, kosovare dhe asaj italiane, të cilët janë sinjalizuar nga DEA amerikane.
Gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje për aksionin e sotëm. Ai ka thënë për RTV Dukagjini se dyshohet që droga e kapur ka pasur për destinacion Gjermaninë, dhe sot vetëm është testuar linja e Kosovës se sa është e favorshme.
“Kosova nuk ka treg për sasi kaq të mëdha me kokaine”, ka thënë Hoxha.
Ai ka shtuar se 400 kg. të kokainës është dashur të kapen në Shqipëri, por informacioni që ka ardhur nga burimet e antridrogës ameriakne, që sasia po transportohet nga një grup i shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, ka bërë që ajo të kapet në Kosovë. Ndërkaq lidhur me dy biznesmenët e dyshuar, gazetari Hoxha tha se kompanitë e kanë marrë përsipër transportin, por jo financimin. Hoxha shtoi se nuk do të duhej të ndalohej kokaina as në Lipjan, por të tentohet të mësohet për ku është destinacioni.