Deputetët e opozitës i janë sulur sot presidentit serb Aleksandër Vuçiq në Kuvendin e Serbisë derisa ai ishte duke propozuar planin franko-gjerman për normalizim marrëdhëniesh me Kosovën.
Gazetari Idro Seferi në një lidhje direkte në për Klan Kosova, ka treguar se deputetët që bënë një gjë të tillë, i përkasin grupit të të djathtës ekstreme.
“Natyrisht është i rrallë momenti kur deputetët e Serbisë arrijnë të përballen me presidentin Vuçiq dhe është vetëm në këto raste kur filloi seanca me frontin që është bërë, pra ‘frontin patriotik’ ta quajmë kështu të tri partive në kuvend të cilat njihen për politikat e të djathtës ekstreme dhe në momentet kur Vuçiq po sqaronte politikën e tij dhe po shpaloste një plan 10-pikësh të cilin duhet ta ndiqte Serbia dhe ta votojë kuvendi sa i përket Kosovës, aty dolën deputetët e këtij grupi të cilët pra u kacafytën mes vete mjaftë gjatë edhe gjithçka u ndërpre”.
Gazetari i cili vepron në Beograd, ka treguar se Vuçiq e kishte të pamundur që ta vazhdonte fjalimin e tij për shkak të këtij incidenti.
“Kjo ka ndodh edhe një herë tjetër kur një deputet i koalicionit të partisë së Vuçiq po fliste, por në shkallë më të vogël, natyrisht tensionet dhe akuzat e ndërsjella nuk kanë munguar gjatë gjithë seancës së zhvilluar sot”.
“Sot kryesisht janë bazuar në temën që të thonë që Vuçiq nuk duhet të firmoste planin e njohur si franko-gjerman dhe që do të duhej ta refuzonte nga Kuvendi në çdo mënyrë dhe të mos vazhdojë me bisedimet”.
Tutje, ai ka treguar se ka pasur edhe kundërshtarë të tjerë natyrisht nga opozita në Serbi e cila është e ndarë në dy grupe.
“Një pjesë që i takon një grupimi me orientim majtist, të cilët kanë kërkuar që megjithatë të bëhet i ditur plani dhe se çfarë përmban ky plan në tërësi”.
“Vuçiq ka thënë se 90 për qind të atyre raportimeve që kanë dalë nëpër media, shumica e pikave janë të këqija për Serbinë përveç njërës. Ndërkaq si pikën më të keqe për Serbinë e konsideron faktin që plani kërkon që Kosova të mos pengohet në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare rrjedhimisht edhe në OKB”.