Ekipet mjekoligjore mëngjesin e sotëm (e enjte) kanë nisur gërmimet në varrezat e Muhaxherëve në lagjen “Mati 1” në Prishtinë pas dyshimeve për mbetje mortore për dy trupa të shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Deri tani ka përfunduar gërmimi i një lokacioni të vogël dhe ka nisur i dyti, ndërsa pritet që gjatë ditës të gërmohen edhe dy lokacione të tjera.
Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), Ditor Haliti dhe se këto gërmime po bëhen me urdhëresë të gjykatës.
Ai tha se deri në këto momente nuk kanë hasur në ndonjë gjetje, por po presin deri në fund të përfundimit të gërmimeve.
Teksa ka njoftuar se edhe më herët ka pasur gërmime në këto varreza të Muhaxherëve në “Mati 1”, Haliti tha se vështirësia më e madhe është mungesa e informacioneve të sakta.
Haliti u shpreh se së shpejti edhe në Podujevë do të ketë disa gërmime, përfshirë edhe disa lokacione të tjera që kanë mbetur pa përfunduar.
Ndërsa, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i Republikës së Kosovës (KQPZh) u shpreh se përmirësimi i kushteve atmosferike ka krijuar mundësi që tu rikthehen gërmimeve për gjetje mortore të trupave të zhdukur gjatë luftës.
Gara tha se për të katërtën herë po zhvillohen gërmime në këtë lokacion pasi ka dyshime se edhe dy trupa ndodhen në këtë lokacion.
Sfidë kryesore për identifikimin dhe gërmimet për gjetjen e trupave të personave të zhdukur sipas tij mbeten lokacionet në territorin e Serbisë për shkak të qasjes politizuese në vazhdimësi të institucioneve serbe karshi problemit.
Në Kosovë ende nuk dihet fati i mbi 1600 personave të zhdukur gjatë luftës se fundit. Më 2 maj në Bruksel në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq është arritur dakordim për Deklaratën e Personave të Zhdukur.