Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e ka pritur në vizitën e parë prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, homologen e saj japoneze, Yoko Kamikawa.
Gërvalla tha se kjo vizitë e parë e një ministri të Jashtëm të Japonisë në Kosovë është një moment historik në zhvillimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy shteteve.
“Znj. Gërvalla njoftoi znj. Kamikawa me të arriturat e Kosovës në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit, lirive civile dhe të drejtave politike. Ajo gjithashtu theksoi edhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik nëpër të cilin po kalon Kosova në vitet e fundit dhe u shpreh e lumtur për pjesëmarrjen e Kosovës në EXPO 2025, e cila do të organizohet në Osaka të Japonisë”.
“Zëvendëskryeministrja Gërvalla theksoi se kjo ngjarje do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme e njohjes dhe lidhjes së bizneseve të të dyja vendeve, si domosdoshmëri e thellimit të bashkëpunimit ekonomik”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Tutje, në njoftim thuhet se ministret e Jashtme shkëmbyen informacione mbi zhvillimet e fundit në rajonet përkatëse dhe nevojën e afrimit të vendeve demokratike, veçanërisht në kontekstin aktual gjeopolitik, ku thuhet se tendencat autokratike po rriten dhe po bëhen gjithnjë e më agresive.
“ Znj. Gërvalla njoftoi znj. Kamikawa mbi veprimet destabilizuese të Serbisë në rajon, duke përfshirë edhe rastin e agresionit të Serbisë në Kosovë nëpërmjet sulmit terrorist të 24 shtatorit, dhe vështirësitë e procesit të dialogut në Bruksel si rezultat i kësaj qasje të Beogradit”.
“Në përfundim, Zëvendëskryeministrja Gërvalla falënderoi ministren Kamikawa për mbështetjen e vazhdueshme që Japonia i ka dhënë Kosovës në fusha të ndryshme, si ndërtimin e institucioneve pas luftës së fundit dhe mbështetjen në arenën ndërkombëtare pas shpalljes së pavarësisë”, thuhet në njoftim.