Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka shkuar për vizitë zyrtare në Kanada, ku ka zhvilluar takim me Ministren e Punëve të Jashtme atje, Melanie Joly, raporton Gazeta Enigma.
Kjo vizitë e Gërvallës u bë në shënim të 25-vjetorit të pranimit të refugjatëve nga Kosova dhe 15-vjetorit të krijimit të marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve, me qëllim të fuqizimit të miqësisë dhe përparimit të projekteve me interes të përbashkët.
Gjatë këtij takimi, Gërvalla e njoftoi homologen e saj rreth situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë duke theksuar veprimet destabilizuese të Serbisë, duke thënë se sot përbën një rrezik për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropën Juglindore.
Ministret diskutuan rreth fuqizimit të partneritetit në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes së Kosovës, zhvillimit të qëndrueshëm, investimeve strategjike dhe bashkëpunimit në sektorin publiko-privat.
Në fund të takimit, ministrja Gërvalla i dhuroi ministres Joly pullën postare që simbolizon 15-vjetorin e krijimit të marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve dhe mirënjohjen për mbështetjen e Kanadasë për Kosovën. /Gazeta Enigma