Gërvalla në takim me zyrtarë grekë thekson se BE-ja duhet pozicionuar qartë ndaj Serbisë

Gërvalla në takim me zyrtarë grekë thekson se BE-ja duhet pozicionuar qartë ndaj Serbisë

Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla sot priti në takim zyrtar një delegacion grek të kryesuar nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme për Diplomaci Ekonomike i Greqisë, Kostas Fragogiannis.

Temë kryesore midis dy delegacioneve ishte nevoja për thellimin e mëtejshëm të raporteve midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Greqisë në të gjitha sferat me interes për popujt e të dyja vendeve, sidomos në ekonomi, tregti, arsim, kulturë e turizëm, thotë Ministria e Jashtme.

Por, Gërvalla i përsëriti masat që ka marrë Kosova për të dënuar agresionin rus në Ukrainë, si dhe rreshtimin e saj në krah të Perëndimit. Edhe zyrtarëve të shtetit anëtar të BE-së. Gërvalla iu tha se Unioni duhet të ketë një pozicionim të qartë ndaj Serbisë.

“Kosova mbështet integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës dhe qysh në fillim është rreshtuar përkrah aleatëve të saj, duke iu bashkangjitur sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Duke folur për rreziqet që mund të ketë rajoni nga agresioni ushtarak rus ndaj Ukrainës, ministrja Gërvalla theksoi se “përkrahja e vazhdueshme e Serbisë ndaj aleatit të saj, Rusisë, edhe në këtë rast, kërkon një mesazh dhe pozicionim të qartë të BE-së”.

Në fund të këtij takimi, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Kreshnik Ahmeti dhe homologu i tij grek, Kostas Fragogiannis, nënshkruan dokumentin e formalizmit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme midis dy shteteve.

Po ashtu, Gërvalla ka falënderuar atë për mikpritjen në Forumin Ekonomik në Delphi, të zhvilluar javën e kaluar, i cili u vlerësua nga ana e saj si shumë i përzemërt dhe i dobishëm për rajonin në përgjithësi, dhe në veçanti për Republikën e Kosovës.

Related Articles