Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, gjatë vizitës në Tokio ka takuar drejtuesit e Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe të Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar.
Gjatë takimeve të ndara, bëhet e ditur se pjesë e diskutimit ishin përfundimi me sukses i projekteve, donacioneve dhe investimeve japoneze në Kosovë dhe realizimi i projekteve dhe investimeve të reja.
“Gjatë takimit në zyrat qendrore të JICA-s, Ministrja Gërvalla falënderoi drejtuesit e kësaj agjencie për mbështetjen e dhënë Kosovës ndër vite në rindërtim, ngritje të kapaciteteve humane dhe infrastrukturore, mbrojtje të mjedisit, menaxhim të mbeturinave dhe në fushën e përmirësimit të ajrit”.
“Në takim me përfaqësuesit e Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Ministrja Gërvalla vuri në pah potencialin në fushën digjitale dhe të teknologjisë informative, si përparësi të rëndësishme të të rinjve, të cilat mund të shërbejnë si një mundësi e mirë e investimeve strategjike japoneze në Kosovë, në ngritjen e punësimit dhe perspektivës së të rinjve në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se synim i Gërvallës gjatë vizitës së saj në Japoni ishte bashkëpunimi i mëtejshëm në projekte të reja, ku synohet zhvillimi ekonomik i Kosovësm shkëmbimi i studentëve dhe përvojave në fusha të caktuara.