Deputetja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Donika Gërvalla, ka përmendur disa deputetë të LDK-së se u bënë bashkë me Listën Serbe për të votuar kundër saj.
Kur u pyet se edhe deputetja e Vetëvendosjes, Shqipe Selimi, s’votoi për të, Gërvalla iu drejtua gazetarëve me “mos përzieni kot”.
“LDK ka pasë mundësi ta zhbllokojë Kuvendin nuk e ka bërë një gjë të tillë. Imagjinoni, aty në Kuvend janë të ulur djali i Xhemajl Mustafës, Besian Mustafa, nipi i Tahir Zemaj, Armend Zemaj, janë ulur dy komandantë të Koshares, Fadil Hadërgjonaj dhe Anton Quni, dhe këta të katërt janë bërë bashkë me PDK-në dhe Listën Serbe për të votuar kundër Donika Gërvallës.
“Edhe Shqipe Selimi…”, i reaguan gazetarët.
“Ajo nuk ka votuar. Mos përzieni kot. Mos i ngatërroni. Shqipe Selimi nuk është bërë bashkë me Listën Serbe për të votuar kundër meje. Besian Mustafa, Armend Zemaj, Anton Quni, Fadil Hadërgjonaj kanë pasë më shumë se një arsye për të votuar dje për propozimin tonë. S’ka person në skenën publike të Kosovës, i cili është angazhuar qe 20 e diçka vjet më hapur, më qartë dhe me një kosto të lartë politike për zbardhjen e krimeve të pasluftës”.
“Ne kemi pasur një diskutim në grup parlamentar, nuk ka pasur debat rreth kandidimit tim. Zonja Selimi i merr vendimet e saj, ajo nuk ka marrë pjesë në votim, në dallim nga disa të tjerë tek të cilët është pritur që nuk mund të votojnë të bashkohen me Listën Serbe dhe me PDK-në për të votuar kundër personit tim. Megjithatë, ai është vendim personal i zonjës Selimi dhe nuk kam asnjë arsye dhe asnjë të drejtë ta komentoj”.