Gërvalla: Sa më të zbrazëta burgjet, aq më i fortë shteti

Gërvalla: Sa më të zbrazëta burgjet, aq më i fortë shteti

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka vizituar Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan.

Gjatë kësaj vizite, ajo u takua me drejtorët e institucioneve korrektuese dhe drejtorët e departamenteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Korrektues të Kosovës, me të cilët diskutuan për punën, sfidat dhe prioritetet në sistemin korrektues.

Theks të veçantë iu kushtua gjendjes së sigurisë në institucionet korrektuese, parandalimit të kontrabandës, forcimit të masave të kontrollit dhe zbatimit të programeve resocializuese për të burgosurit.

“Sistemi korrektues duhet të jetë i fortë, i disiplinuar dhe i drejtë. Kjo kërkon udhëheqje të vendosur, zbatim të pakompromis të ligjit dhe përkushtim të plotë institucional për të garantuar sigurinë, rendin dhe integritetin e çdo institucioni korrektues në vend. Këto standarde nuk janë vetëm pritje institucionale, por përgjegjësi që do të ndiqen me seriozitet dhe vëmendje të vazhdueshme nga afër”, tha Ministrja Gërvalla.

Gërvalla vizitoi edhe hapësirat e Qendrës Korrektuese për Femra, me ç‘rast bisedoi me të burgosurat dhe u njoh me ambientet e punës, përfshirë kabinetin e IT-së, rrobaqepësinë dhe bibliotekën. Po ashtu, ajo pa nga afër disa nga punimet e ekspozuara me filigran në argjend dhe punime filigran në letër të realizuara nga të burgosurat në kuadër të aktiviteteve rehabilituese.

“Sa më shumë të investojmë në resocializim, aq më mirë e përmbushim detyrimin që kemi si shtet. Sepse dënimi është heqja e lirisë, ndërsa suksesi i sistemit korrektues matet edhe me aftësinë e një personi për të ndërtuar një jetë normale pas përfundimit të dënimit. Sa më të zbrazëta burgjet, aq më i fortë është shteti dhe aq më e fortë është shoqëria jonë”, u shpreh Ministrja Gërvalla.

Vizita u përmbyll me dorëzimin e kupës së finales në tenis, ndeshje e cila u zhvillua mes të burgosurave.

Related Articles