Ndërmarrësi me prejardhje nga Kosova, Engjell Lekaj, i cili jeton në Kroaci, prej kohësh është duke u përballur me një problem në lidhje me patentë-shoferin e tij kroat.
Lekaj i cili është me shtetësi kroate, po refuzon ta marrë patentë-shoferin e tij të lëshuar nga Ministria e Brendshme e Kroacisë, shkaku se aty vendlindja e tij në Kosovë po paraqitet si pjesë e Serbisë.
Engjullit, tek seksioni ku paraqitet vendi se ku e ka kaluar testin e vozitjes, në dokumentin kroat, po i shkruan “Gjakovë, Serbia”.
Në një prononcim për Reporteri.net, kosovari që jeton në rrethinën e qytetit të Pulës, ka dëshmuar se si për rastin në fjalë ai i është drejtuar për ndihmë edhe Ambasadës së Kosovës në Zagreb.
Por, që sipas tij përgjigja që e ka marrë nga ta, “ishte dëshpëruese”.
Sipas Lekajt, ambasada e shtetit të Kosovës në Kroaci i referoi atij që ta pranojë dokumentin ku Gjakova paraqitet si qytet i Serbisë.
Në përgjigjen e saj për Lekajn, seksioni konsullor i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Zagreb, në gjuhen kroate i tha atij se “sa i përket dokumenteve kroate, duhet të ndiqni udhëzimet siç ju kanë thënë në Ministria e Punëve të Brendshme [e Kroacisë]”.
“Pra, ne si Ambasadë e Kosovës nuk kemi sistem me institucionet kroate”, thuhet tutje në përgjigjen e ambasadës për kosovarin me shtetësi kroate.
“Ju tashmë keni patentë shofer të Kroacisë, kështu që veproni siç ju është thënë nga MPB-ja dhe kontaktoni me shkrim institucionet kompetente”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Kosovës në Zagreb për Lekajn.
Së fundi, në kërkesën e tij për vazhdimin e patentë-shoferit në Kroaci, zyra në Pula e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kroacisë tek qyteti atij ia evidentoi “Gjakovë, Serbia”.
Probleme të ngjashme sikur Lekaj, kosovarët me shtetësi tjera të huaja përballen vazhdimisht, përkundër se Kosova nga viti 2008 është shtet i pavarur, dhe i pranuar ndërkombëtarisht.
Ambasada e Kosovës në Kroaci, nga fundit i vitit 2021, drejtohet nga Ambasadori Martin Berishaj.