Policia po trajton vdekjen e katër fëmijëve dhe dy të rriturve në një shtëpi në Otava si vrasje.
Oficerët po i përgjigjeshin një thirrjeje urgjente të bërë rreth orës 22:52 me orën lokale të mërkurën kur gjetën gjashtë personat e vdekur.
Prona ndodhet në një periferi rreth 17 kilometra në jug-perëndim të kryeqytetit kanadez.
Në një deklaratë, policia e Otavës tha se një arrestim ishte bërë.
Policia tha se të paktën një person ishte dërguar në spital në zonën e Otavës me lëndime serioze, por jo të rrezikshme për jetën, raporton BBC.
“Ky është një hetim tragjik dhe kompleks dhe ekipet hetuese mbeten në Berrigan Drive”, tha policia në një deklaratë. Ata shtuan se nuk kishte asnjë kërcënim për sigurinë publike.
Lajmet lokale raportojnë se kishte makina policie të parkuara jashtë shtëpisë në lagjen Barrhaven.
Identitetet e të vdekurve nuk janë bërë të ditura. Nuk dihet nëse të rriturit dhe fëmijët kishin lidhje familjare mes vete
Kryebashkiaku i Otavës e quajti ngjarjen e shumëfishtë të vrasjes “një nga incidentet më tronditëse të dhunës në historinë e qytetit tonë”.
“Ne jemi krenarë që jetojmë në një komunitet të sigurt, por ky lajm është shqetësues për të gjithë banorët e Otavës,” shkroi Mark Sutcliffe në një postim në X, i njohur më parë si Twitter.