Një incident ka ndodhur sot në qytetin e Pejës, përkatësisht në rrugën “Mirvete Maksutaj”, ku disa fëmijë janë parë me një mjet shpërthyes në duar.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili tha se për rastin janë informuar nga një qytetar.
“Rreth orës 14:05 një qytetar ka njoftuar policinë se derisa ishte duke kaluar në rrugën “Mirvete Maksutaj”, pranë qendrës së mjekësisë familjare në Pejë, kishte hasur në disa fëmijë të cilët në dorë po mbanin një mjet shpërthyes, nga të cilët e kishte marrë atë dhe e kishte vendosur në një vend më të sigurt”, potencoi ai.
Në lidhje me këtë rast njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme.