Roja Bregdetare e Greqisë ka gjetur një grup prej 14 emigrantësh të vdekur në bregdetin e një ishulli të vogël në lindje të Detit Egje të martën në mëngjes. Autoritetet greke njoftojnë se, pesë burra, gjashtë gra dhe tre fëmijë u gjetën në ishullin e largët Farmakonisi.
Ky grup kishte mbërritur në ishull nga bregdeti turk përmes një barke të vogël gomone, e cila u fundos, ndërsa nuk dihet nëse ka apo jo të zhdukur.
Numri i emigrantëve që kanë mbërritur në Greqi përmes detit është rritur së fundmi. Ata kanë ikur nga konfliktet dhe varfëria në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi, në kërkim të një jete më të mirë në Bashkimin Evropian.
Roja Bregdetare tha më vonë se edhe tri anije të tjera me më shumë se 100 njerëz mbërritën në ishujt Lesbos, Samo dhe Chios, të cilët shtrihen afër bregdetit turk.
Një gomone me 48 persona u pa pranë bregdetit të Lesbosit nga anijet patrulluese, ndërsa një tjetër me 25 persona, përfshirë katër fëmijë, u gjet pranë ishullit Samos.
Anija e tretë, që kishte 33 njerëz në bord, u gjet afër ishullit Chios. Roja Bregdetare tha se drejtuesit e anijes u përpoqën ta shmangin rojën bregdetare duke bërë manovra të rrezikshme dhe nuk iu përgjigjën sinjaleve të dritës dhe zërit.
Ndërkohë, nuk u raportua për të lënduar dhe 32 burrat dhe një grua në bordin e saj u dërguan në një kamp emigrantësh në Chios.