Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Memphis në Tennessee, pasi trupi i një fëmije 3-vjeçar është gjetur brenda një valixheje në një zonë të pyllëzuar.
Sipas autoriteteve amerikane, viktima është Joseph Martinez, i cili ishte raportuar i zhdukur nga nëna e tij më 19 korrik. Fëmija ishte parë për herë të fundit me babain e tij, Saul Martinez, 22 vjeç.
Pas nisjes së hetimeve, policia arrestoi babain e fëmijës, i cili tashmë përballet me akuza të rënda, përfshirë vrasje të shkallës së parë.
Hetuesit dyshojnë se i riu kishte marrë një valixhe nga shtëpia dhe ishte larguar me automjet, ndërsa më vonë u kishte treguar autoriteteve vendndodhjen ku ishte lënë trupi i djalit.
Policia ka gjetur valixhen në një zonë pranë Wolf River Harbor, ku edhe është konfirmuar prania e trupit të 3-vjeçarit.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë janë duke vazhduar, ndërsa autoritetet po mbledhin prova për procedurat e mëtejshme ligjore.
