Siç dihet minatorët nuk janë paguar që 2 muaj dhe si rrjedhojë puna është ndalur në minierën e Trepçës në Stantërg. Ndërmarrja “Trepça Sh.A”, ka dërguar një njoftim për media në të cilën thuhet se janë duke u angazhuar për të rifilluar puna në flotacionTrepça-Stan Tërg.
Sipas njoftimit, udhëheqja e ndërmarrjes Trepça Sh.A. po punon intensivisht për të tejkaluar vështirësitë financiare, në mënyrë që punëtorët të marrin pagat dhe minatorët t’i kthehen punës.
“Vërejmë se gjendja financiare është rënduar nga performanca e ultë e prodhimit, humbjet dhe borxhet e grumbulluara. Tejkalimi i situatës kërkon reforma të menjëhershme që sjellin stabilitet operativ dhe financiar”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Angazhimi për rifillimin e punës në minierën me flotacionTrepça-Stan Tërg
Udhëheqja e ndërmarrjes Trepça Sh.A. po punon intensivisht për të tejkaluar vështirësitë financiare, në mënyrë që punëtorët të marrin pagat dhe minatorët t’i kthehen punës në minierën me flotacion Trepça-Stan Tërg.
Bordi Mbikëqyrës i cili ka marrë detyrën këtë muaj, po punon ngushtë me menaxhmentin për të zbatuar një plan veprimi emergjent dhe po zhvillon komunikim të vazhdueshëm me aksionarët-Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe punëtorët, për të mundësuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate.
Bordi Mbikëqyrës ka treguar përkushtimin e vet, duke takuar organizatën dhe përfaqësuesit e punëtorëve që në marrje të detyrës dhe duke i njoftuar në vazhdimësi për planin dhe veprimet e shpejta që priten të merren.
Udhëheqja e ndërmarrjes e kupton rëndësinë e kërkesës së minatorëve dhe po punon me përkushtimin më të lartë për t’u dhënë përgjigjen e duhur, për të rifilluar punën e minierës me flotacion Trepça-Stan Tërg dhe për të stabilizuar operimet e ndërmarrjes.
Vërejmë se gjendja financiare është rënduar nga performanca e ultë e prodhimit, humbjet dhe borxhet e grumbulluara. Tejkalimi i situatës kërkon reforma të menjëhershme që sjellin stabilitet operativ dhe financiar.