KMDLNJ, përmes një komunikate, ka bërë të ditur se gjendja shëndetësore e kryetarit të OVL e UÇK-së, Hysni Gucatit, nuk është e mirë dhe se përkeqësimi është pasojë e një intervenimi kirurgjik të komplikuar pas të cili ishte edhe një intervenim tjetër kirurgjik që ka zgjatur së paku tre orë.
Në njoftim e saj, KMDLNJ, bënë të ditur se kështu është informuar nga familjarët e Hysni Gucatit.
Tutje, shtohet se KMDLNj –ë është shqetësuar për gjendjen shëndetësore të Hysni Gucatit, Salih Mustafës dhe Jakup Krasniqit duke kërkuar nga organizatat monitoruese, ndërkombëtare, që të ngrenë këto shqetësime si shkelje e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria e që janë të garantuara me të gjitha dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Komunikata e plotë:
Mbrëmë , nga familjarë të Hysni Gucatit KMDLNj –ë është informuar se gjendja shëndetësore e Hysni Gucatit nuk është e mirë dhe se përkeqësimi është pasojë e një intervenimi kirurgjik të komplikuar pas të cilit ishte edhe një intervenim tjetër kirurgjik që zgjati , së paku tre orë ( të premten e kaluar ) ndërsa , dje , më datë 8 nëntor 2022 ishte një intervenim më i vogël për shkakun se gjendja shëndetësore nuk po i përmirësohet , ka temperaturë deri më 40 gradë dhe se ka infektim e që nuk po dihet shkaku . Gjithnjë sipas informatës së familjarëve të Hysni Gucatit atij i është marrë një pjesë e indit për të bërë analizat për shkakun që po prodhon pasoja për shëndetin e Hysni Gucatit sikur që është infeksioni i vazhdueshëm dhe zjarmi të lartë. Familjarët e Hysni Gucatit i kanë deklaruar KMDLNj –së se gjatë dhe pas operacionit nuk u është lejuar vizita , madje as gruas së kryetarit të dënuar të OVL –së së UÇK-së përkundër faktit se kanë kërkuar me këmbëngulje këtë . Gjithashtu , familjarët por edhe mbrojtësi kanë kërkuar të kenë qasje në dosjen shëndetësore përkatësisht ta mësojnë diagnozën e sëmundjes së Gucatit por se nuk i është treguar . Pas këtyre refuzimeve dhe duke u thirrur dhe duke besuar se Gjykata Speciale është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës , i janë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë në Prishtinë me kërkesë të sigurohet mundësia , me ndihmën e MD , që të vizitohet Hysni Gucati gjatë tërë kohës së trajtimit mjekësor por se nuk janë të kënaqur me premtimet dhe angazhimin nga kjo ministri .
KMDLNj ka sqaruar familjen e Gucatit se MD nuk ka asnjë qasje e as ndikim në trajtimin e të burgosurve të Gjykatës Speciale dhe se të drejtën ekskluzive për këtë e kanë Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit në Gjenevë dhe Avokati i Popullit i Holandës dhe se këto janë adresat ku ata duhet t’i adresojnë shqetësimet për shkelje të drejtave të njeriut të personave të burgosur në Njësinë e Paraburgimit në Hagë , që të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës e që janë më se evidente.
KMDLNj –ë , edhe më heret ka informuar opinionin se për shkak të kalkulimeve të Gjykatës Speciale , ndërhyrja kirurgjike është bërë me vonesë dhe vetëm pasi ishte dënuar thuaja me dënim kapital prej 4.5 vjetëve me burg e që , thuaja ishte përmbushje e kërkesës së Prokurorit të “ Specializuar “ që kërkonte dënim maksimal prej 6 vjetëve burg për Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn . Edhe Nasim Haradinaj u dënua me 4,5 vjet burg dhe , që të dy presin vendimin e Gjykatës së Apelit , në fillim të janarit 2023 ku , KMDLNj –ë pret të ketë ulje të dënimit.
KMDLNj –ë është shqetësuar për gjendjen shëndetësore të Hysni Gucatit , Salih Mustafës dhe Jakup Krasniqit duke kërkuar nga organizatat monitoruese ( ndërkombëtare ) që të ngrejnë këto shqetësime si shkelje e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria e që janë të garantuara me të gjitha dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në kohën kur Gjykata Speciale , me Rregulloren për trajtimin e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria , përveç Rregullave Evropiane të Burgjeve ka integruar edhe Rregullat e Nelson Mandeles , si standardi më i lartë i trajtimit që parashihet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara .
Në rastin konkret këto janë vetëm në letër . Në anën tjetër , Kuvendi i Kosovës , si themelus i Gjykatës Speciale e ka për detyrim që përmes Komisionit për të Drejtat e Njeriut seriozisht të trajtojë këto shqetësime duke i adresuar edhe në një seancë të Kuvendit , si pikë e rendit të ditës apo si temë e veçantë. Kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton se Kuvendi i Kosovës , MD apo ndonjë institucion tjetër po ndërhynë në drejtësi por se e kanë detyrim që të interesohen për trajtimin e shtetasve të Kosovës , të burgosur në Njësinë e Paraburgimit në Hagë sikur që kanë për detyrim interesimin për trajtimin e të privuarve nga liria dhe të dënuarve që janë të vendosur në qendrat e paraburgimit dhe qendrat korrektuese në territorin e Kosovës.Në rastin e Hysni Gucatit KMDLNj –ë vlerëson se kemi shkelja flagrante të të drejtave të njeriut përkatësisht mosdhënia e shërbimeve shëndetësore me kohë sikur që edhe mosdhënia e mundësive e trajtimit mjekësor jashtë qendrës ku mbahet tani . KMDLNj –ë përkujton opinionin se në raste të ngjashme , madje shumë më të rënda në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte për ish – Jugosllavinë , trajtimi shëndetësor ka qenë më humanë dhe më profesional.
KMDLNj –ë kërkon që Kuvendi i Kosovës , si themelues , të kërkojë që të dënurit eventualë , pas plotëfuqishmërisë së dënimit të kenë mundësi të vuajnë dënimin në një shtet që është më afër familjes përjashtuar këtu Kosovën , Serbinë dhe Shqipërinë për të cilat ka ndalesa që të pranojnë këtë kategori të të dënuarve .Nëse Kosova , për një grusht eurosh pranon që kriminelët e dënuar në Danimarkë , asnjëri shtetas i Danimarkës të akomodohen në Burgun e Gjilanit në kushte të një hoteli mesatar dhe me shërbime mjekësore të nivelit të Spitalit Amerikan , pse këto të drejta do t’iu mohohen shtetasve të Kosovës , në Burgun e Gjykatës Speciale ?! Vendosja e të drejtës për të dënuarit që ta vuajnë dënimin sa më afër familjes nuk është beneficion por standard ndërkombëtar i rregulluar me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e personave të privuar nga liria.
Kohëve të fundit po ngritet si shqetësim ndarja e mjeteve për mbrojtje ligjore të të burgosurve në Hagë , të gjithë shtetas të Kosovës dhe të gjithë shqiptarë duke bërë publike shifra ( për këtë vit janë ndarë 6 milionë euro ) në kohën kur Kroacia vetëm për një rast , për rastin Ante Gotovina ka shpenzuar 33 milionë euro , hiç këtu mjetet që janë shpenzuar nga burimet tjera . Kosova ka për detyrim t’i kompensojë viktimat eventuale që e fitojnë këtë status nga vendimet e plotëfuqishme të Gjykatës Speciale dhe , në të njëjtën kohë ka për detyrim të paguajë mbrojten ligjore e çdo të akuzuari apo të dënuari nga kjo Gjykatë , deri sa dënimi të bëhet i formës së prerë !