Gjeneral Jashari pret Shefin gjerman të Mbrojtjes, flasin për organizimin e trajnimeve të përbashkëta

Gjeneral Jashari pret Shefin gjerman të Mbrojtjes, flasin për organizimin e trajnimeve të përbashkëta

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në vizitë zyrtare Shefin e Mbrojtjes së Gjermanisë, Gjeneral Carsten Breuer.

Pritja iu bë me nderime të larta ushtarake.

Gjatë takimit të përbashkët, Jashari i uroi mirëseardhje Breuerit dhe e njoftoi për zhvillimet dhe të arriturat e fundit të FSK-së, duke theksuar fushat e bashkëpunimit bilateral dhe aktivitetet e përbashkëta.

Siç njofton FSK, Gjenerali Breuer, nga ana e tij, e përgëzoi Gjeneral Jasharin për sukseset dhe profesionalizmin e treguar nga FSK-ja, duke vlerësuar rolin e saj në garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm.

“Njëkohësisht ofroi vazhdimin e mbështetjes së forcave gjermane për FSK-në në përputhje me objektivat e saj”, tha FSK-ja në njoftim.

Thuhet se në fokus të bisedës ishte edhe thellimi i bashkëpunimit konkret në fusha kyçe të sigurisë dhe mbrojtjes, duke përfshirë arsimimin dhe trajnimin e pjesëtarëve të FSK-së në institucionet ushtarake gjermane, si dhe organizimin e trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta në të ardhmen.

Gjithashtu, theksohet se u diskutua situata aktuale e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, duke ndarë mendime dhe vlerësime mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes afatgjate në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

“Vizita e Gjeneral Breuer paraqet një moment të rëndësishëm për FSK-në, duke përforcuar partneritetin strategjik me Gjermaninë dhe mbështetjen e saj për zhvillimin e mëtejshëm të Forcës sonë”, u tha në njoftimin e FSK-së. 

Related Articles