Gjenerallejtënanti amerikan në pension, Claude M. Kicklighter, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Në një letër drejtuar Hashim Thaçit, Kicklighter ka shprehur dhimbjen për humbjen e babait të tij, duke theksuar padrejtësinë e largimit të tij nga familja për shkak të procesit gjyqësor në Hagë.
“Vazhdojmë të lutemi për lirimin tuaj, në mënyrë që të bashkoheni me familjen tuaj, sidomos tani. Në vendin tim thuhet se drejtësia e vonuar është padrejtësi, dhe rasti juaj ka qenë padrejtësi që nga fillimi. Është shumë e dhimbshme që gjatë viteve të fundit të jetës së babait tuaj, ju nuk ishit pranë tij”, ka shkruar Kicklighter.
Ai ka zbuluar se kishte planifikuar ta vizitonte Thaçin në Hagë së bashku me Ambasadorin dhe Kongresmenin Tony Hall dhe ish-ambasadorin Ahmet Shala, por për arsye shëndetësore i ishte dashur ta anulonte udhëtimin.
Kicklighter ka shprehur shpresën që kjo situatë të marrë fund së shpejti dhe që Thaçi të mund të bashkohet me familjen dhe popullin e Kosovës.