Gjenerali i Ushtrisë ka një kërkesë drejtuar Qeverisë

Gjenerali i Ushtrisë ka një kërkesë drejtuar Qeverisë

Sot janë bërë katër vjet kur Kuvendi i Kosovës votoi projektligjet për transformimin e FSK-së në Ushtri.

E, që të ndodhë transformimi më shpejtë se që është paraparë për 10 vite, ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati po kërkon nga Qeveria e Kosovës që të ndahet edhe më shumë buxhet për ta.

“Unë kisha rekomandua fuqishëm që Qeveria të ndajë mjete më shumë sesa që ka ndarë, tash është dikund rreth 1.3 deri në 1.4 të bruto prodhimit vendor unë i kisha rekomandua Qeverisë që kur të bëhet rishikimi i buxhetit që të ndanë mjete shtesë, dhe për atë arsye ne kemi nevojë që kjo forcë mos të ec 10 vjet sa ka qenë plani dinamik por të shkurtohet dhe të mos shkon jo më larg se viti 2026 që kjo forcë të jetë me kapacitete të plota dhe të jetë e gatshme me i përmbush të gjitha detyrimet që dalin nga ligji i kësaj force dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, ka thënë ish-komandanti Kastrati, për Front Online.

Sipas tij, rritja e buxhetit do ta përshpejtonte planin e transformimit dhe pastaj dalë ngadalë ushtria t’i merr kompetencat e KFOR-it.

“Kosova duhet patjetër që ta rris buxhetin që ta përshpejtojë planin e transformimit komplet të FSK-së në ushtri dhe dalë ngadalë me i marr kompetencat nga KFOR-i, Ushtria e Kosovës për me i kry të gjitha detyrimet”, ka shtuar Kastrati.

Ai thotë se në dy vitet e fundit Forca e Sigurisë ka ecur mirë me zhvillimin e saj drejt përmbushjes së kapaciteteve operacionale.

“Këtë vit dhe vitin e ardhshëm është më mirë sepse janë ndarë mjete financiare më shumë, në të kaluarën nuk ka pas buxhet të mjaftueshëm për me ecë FSK-ja sa është dashtë me ec për t’i përmbushur kapacitetet”, është shprehur ai.

Ish-komandanti ka përmendur edhe disa të arritura të FSK-së, gjatë kësaj kohe, e që thotë se janë hapa drejt ecjes së rrugës së transformimit.

“Unë e shoh FSK-në si një forcë ushtarake që është drejt ecjes së asaj rrugë për t’i përmbushur të gjitha nevojat që i nevojiten Kosovës, por jo vetëm Kosovës por edhe për të eksportuar siguri siç janë operacionet apo zbarkimet jashtë vendit, e dimë që ka pas një zbarkim në Kuvajt, tash është në procedurë për një zbarkim tjetër, ka marrë pjesë në shumë ushtrime të përbashkëta me KFOR-in, ushtrim i përbashkët me Shqipërinë, pastaj ushtrimi më i madh NATO-ja që e ka organizuar ndonjëherë në këtë pjesë të botës, dhe gjitha këto shkollimet, trajnimet dhe shumë ngjarje të tjera neve na ka bë të mburremi, por me dije që edhe forca ushtarake që është Forca e Sigurisë është duke ecur drejt hapave për të përmbush kapacitetet”, ka thënë ndër të tjera Kastrati.

Kuvendi i Kosovës me shumicë absolute ka miratuar tre projektligjet për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri.

Tre projektligjet u votuan në shqyrtim të dytë, pas çka pritet të dekretohen nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas së cilës Kosova zyrtarisht bëhet me ushtri.

“Me këtë votim sot fillon një epokë e re për shtetin tonë, nga ky moment zyrtarisht e kemi ushtrinë e Kosovës. Në sallë kemi kadetët e FSK-së që nga ky çast janë ushtarë të Kosovës të cilëve iu uroj ushtrinë e Kosovës. Urime ushtarë, prej sot Gaditu”, deklaroi pas votimit kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Projektligji i parë për formimin e Ministrisë së Mbrojtjes u votua me 107 vota për dhe një abstenim, me anë të të cilit përcaktohet organizimi dhe kalimi i Ministrisë së FSK-së në Ministri të Mbrojtjes në kuadër të Qeverisë.

Projekt ligji i dytë për transformimin e FSK-së në ushtri u votua me 106 vota për, ndërsa me të përcaktohen kompetencat, organizimi dhe funksionimi i FSK-së si forcë multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në pajtim me mandatin e dhënë kushtetues dhe ligjor, në mbrojtje të integritetit territorial, të qytetarëve, të pronës, si dhe interesave të Kosovës që i nënshtrohet kontrollit civil demokratik.

Projektligji i tretë për shërbim në FSK u votua me 105 vota për, me anë të të cilit rregullohen kushtet e përgjithshme të shërbimit në FSK, si një shërbim i ndërtuar mbi bazën e parimit të ligjshmërisë, profesionalizmit, komandës, disiplinës, respektit, nderit, ruajtjes së informacionit, komunikimit, josdiskriminimit dhe mundësive të barabarta, paanshmërisë politike, transparencës dhe llogaridhënies.

Në votimin e projektligjeve të pranishëm ishin 107 deputetë nga gjithsej 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës. Deputetët e Listës Serbe, të cilët kundërshtonin transformimin e FSK-së në ushtri, nuk ishin të pranishëm në seancë.

Related Articles