“Gjëra të këqija mund të ndodhin” – Trump ‘kërcënon’ Afganistanin për bazën ajrore Bagram

“Gjëra të këqija mund të ndodhin” – Trump ‘kërcënon’ Afganistanin për bazën ajrore Bagram

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka dhënë një deklaratë kërcënuese ndaj Afganistanit në lidhje me kontrollin e Bazës Ajrore të Bagramit, e cila ndodhet afër Kabulit.

Përmes një postimi në platformën Truth Social, Trump tha se “nëse Afganistani nuk ua kthen Bazën Ajrore të Bagramit atyre që e ndërtuan, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, GJËRA TË KËQIJA DO TË NDODHIN!”Trump tha se SHBA janë përpjekur të rifitojnë kontrollin e bazës, e cila ishte një pikë strategjike për forcat amerikane pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Ai konfirmoi se çështja po diskutohet aktualisht me autoritetet afgane, raporton Reuters.Tërheqja e forcave amerikane në vitin 2021 lejoi talebanët të rimarrin kontrollin e shumicës së territorit dhe të bazave ushtarake, përfshirë Bagramin.

Ndërkohë, zyrtarë afganë kanë kundërshtuar rikthimin e një pranie ushtarake amerikane në vend.Zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë shprehen se rimarrja e Bagramit do të dukej si një pushtim i ri, që mund të kërkojë më shumë se 10,000 trupa dhe sisteme të avancuara mbrojtjeje.

Trump është shprehur më herët për dëshirën që SHBA të kontrollojë vende strategjike si Kanali i Panamasë dhe Grenlanda, por duket se Bagram ka mbetur një obsesion i veçantë për të.

I pyetur nëse do të dërgojë trupa për ta rimarrë bazën, ai u shpreh: “Nuk do të flasim për këtë.”

“Po flasim me Afganistanin tani dhe e duam atë përsëri, e duam përsëri së shpejti, menjëherë. Dhe nëse nuk e bëjnë – nëse nuk e bëjnë, do ta zbuloni se çfarë do të bëj unë.”

Baza e Bagramit ishte një nga më të mëdhatë në rajon dhe ofronte mbështetje logjistike, teknike dhe ajrore për SHBA dhe NATO për më shumë se dy dekada. Ajo përfshinte gjithashtu restorante të ushqimit të shpejtë, dyqane, dhe një kompleks burgu.

Related Articles