Franca iu drejtua ashpër Shteteve të Bashkuara duke i kërkuar të heqin ndalesën për eksportin e vaksinave kundër COVID-19 dhe materialeve për prodhimin e vaksinave. Kjo thirrje e Parisit është mbështetur edhe nga shtetet e tjera në Europë, e sidomos nga Gjermania.
“Nuk mendoj se heqja e patentës (për pronësinë intelektuale për vaksinat) është zgjidhja që më shumë njerëz të kenë qasje në vaksina”, tha Merkel.
Apelin e tij, presidentin francez Emmanuel Macron e lëshoi gjatë samitit të Bashkimit Europian që u mbajt në Porto të Portugalisë në 8 maj. shtetet europiane mbetën të befasuara nga vendimi i Washingtonit për të hequr patentën e pronësisë intelektuale për vaksinat, me qëllim që të luftohet pandemia COVID-19.
SHBA-ja deri më tani ka vaksinuar me të paktën një dozë 56 për qind të popullatës të saj të rritur, por nuk eksporton doza të vaksinës dhe ekziston de fakto një bllokadë për materialet me të cilat prodhohen vaksinat. Sakaq një sërë shtetesh amerikane po kthejnë mbrapsht dozat e vaksinave që u janë dhuruar nga qeveria federale, teksa numri i vaksinimit në bazë ditore ka rënë në mbarë vendin, për shkak të uljes së kërkesës.
Teksa infektimet dhe kërkesa për vaksinim po bien, administrata e presidentit amerikan Joe Biden është nën presion në SHBA dhe jashtë vendit për eksportin e vaksinave, përfshirë këtu 60 milionë doza të vaksinës AstraZenecas, të cilat po qëndrojnë në depo dhe nuk po përdoren, për shkak se kjo vaksinë nuk është miratuar për përdorim në SHBA.
BE-ja, pavarësisht se në fillim kishte një fushatë të ngadaltë të vaksinimit, këtë javë ka arritur shifrën prej 150 milionë dozave të administruara dhe blloku evropian beson që brenda dy muajve do të vaksinojnë mjaftueshëm njerëz që të arrihet imunizimi i komunitetit.