Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare organizoi takimin e radhës me Rrjetin e Bizneseve për Energji të Pastër (N4CEB) ku u diskutua për sfidat dhe mundësitë e sektorit të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin përfaqësues nga Rrjeti N4CEB, zv/ambasadori gjerman, përfaqësues nga GIZ, nga Ministria e Ekonomisë, Zyra e BE-së në Kosovë, përfaqësues të shoqërisë civile, akademisë, kompanive private dhe ekspert të fushës së energjisë.
Në fjalën e saj hyrëse, Sytrime Dervisholli nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare theksoi rëndësinë që OEGJK i kushton avancimit të investimeve në burimet e ripërtëritshme dhe avokimin te insitucionet publike.
Zv/ambasadori gjerman Matthias Conrad theksoi që Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në tejkalimin e krizës energjetike si dhe për arritjen e sigurisë energjetike.
“Pjesëmarrësit u pajtuan që vetëm duke nxitur dhe vazhduar komunikimin institucione-biznese dhe shoqëri civile mund të trasohet suksesshëm rruga e tranzicionit të energjisë. Burimet e ripërtëritshme janë baza e këtij tranzicioni dhe zhvillimi i tyre hapë perspektiva të zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve. Rrjeti N4CEB dhe organizimet në kuadër të tij bëhen me mbështetjen e GIZ”, njofton Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare.