Ambasada gjermane në Kosovë i ka dorëzuar donacion Policisë së Kosovës vetura si dhe pajisje të teknologjisë.
Pranim-nënshkrimi i donacionit u bë përmes ceremonisë zyrtare ku morën pjesë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Rohde si dhe menaxhmenti i lartë i PK-së.
Hoxha tha se Policia e Kosovës është mirënjohëse ndaj ambasadës gjermane për përkrahjen e vazhdueshme për Policinë e Kosovës në avancimin e mëtutjeshëm të kapaciteteve operacionale, logjistike dhe të teknologjisë.
“Përkrahja nga partneret tanë ndërkombëtarë do të ndikojë në mënyrë pozitive në luftimin e të gjitha akteve kriminale, do të ndihmojë drejtpërsëdrejti në kryerjen e aktiviteteve policore në terren, si dhe do të rrisë efikasitetin e punës policore në shumë fushëveprime”.
Ndërkaq, Rohde theksoi se automjetet dhe pajisjet e dhuruara janë pjesë e një bashkëpunimi, “brenda të cilit Policia Federale Gjermane ndan teknologjinë më moderne dhe taktikat hulumtuese, duke e forcuar përkushtimin e Kosovës për të siguruar kufijtë e saj dhe për të kontribuar në sigurinë e të gjithë rajonit”.
Policia e Kosovës tha se Ambasada e Republikës së Gjermanisë, si partner i përhershëm i Policisë së Kosovës, gjatë dy viteve të fundit 2022 dhe 2023 ka përkrahur Policinë e Kosovës, më konkretisht Policinë Kufitare në ngritje të kapaciteteve operacionale dhe logjistike me 59 vetura, 5 kombi-bus dhe 10 motorë të terrenit, në fushën e teknologjisë informative me 130 kompjuter, 16 llaptop, laborator për pikën kufitare Hani i Elezit, projektorë, pajisje të ndryshme për kontrollimin e dokumenteve dhe skenimin e veturave gjatë kontrollit në kufi, dylbi, kamera termike, detektor për identifikim te njerëzve dhe pajisje tjera.
“Po ashtu, një kontribut të veçantë nga ambasada gjermane, policia kufitare ka pranuar në ngritjen edhe të kapaciteteve të burimeve njerëzore ku janë mbajtur 20 trajnime të ndryshme me pjesëmarrje të mbi 150 zyrtarëve policorë”.
Policia e Kosovës ka shprehur mirënjohjen e saj për ambasadën e Gjermanisë, për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj PK-së, e cila “vazhdon të mbetet e përkushtuar në përmbushjen e vizionit dhe misionit të saj në shërbim ndaj vendit dhe qytetarëve pa dallim”.