Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul të mërkurën sinjalizoi se është kundër përfshirjes së SHBA në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit.
Ai ka paralajmëruar se përshkallëzimi i vazhdueshëm midis dy rivalëve rajonalë rrezikon të shkaktojë një përplasje më të gjerë.
“Sulmet ushtarake që po kryhen aktualisht mbartin rrezikun që vëmendja të përqendrohet vetëm në një zgjidhje ushtarake”, ka thënë Wadephul gjatë një takimi me homologun e tij jordanez Ayman Safadi në Berlin.
“Kjo përmban një rrezik të madh, pikërisht që vende të tjera të përfshihen në këtë konflikt”, shtoi ai.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse është në favor të ndërhyrjes së SHBA në konflikt në mbështetje të Izraelit, ministri gjerman u shpreh se është kundër një hapi të tillë.
Ai theksoi se Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio kishte përjashtuar ndërhyrjen ushtarake të SHBA në konflikt javën e kaluar, kur Izraeli nisi sulmet e gjera kundër Iranit për të dëmtuar kapacitetet bërthamore të vendit.
“Duke qenë se e vlerësoj shumë kolegun tim dhe ai e ka përsëritur këtë qëndrim, supozoj se kjo është ende e vlefshme dhe se kjo është pozita e Shteteve të Bashkuara”, tha Wadephul.
Megjithatë, në rast të një sulmi iranian ndaj objekteve amerikane, “do të kishte natyrisht një reagim ushtarak”, shtoi diplomati i lartë gjerman.