Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë ashpërsuar tonin e deklaratave të Beogradit ndaj Gjermanisë. Nga njëra anë vlerësohet Gjermania për investimet por shihet edhe si një nga qendrat “antiserbe në botë”.
Marrëdhëniet diplomatike mes Serbisë dhe Gjermanisë janë në të tatëpjetë dhe në një farë mënyre janë të lidhura me përpjekjet e Perëndimit për të përshpejtuar zgjidhjen përfundimtare të Kosovës. Kur nisi retorika disi më e vendosur e Berlinit dhe Uashingtonit, për të arritur në mënyrë më të shpejtë dhe aktive një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme mes Beogradit dhe Prishtinës, udhëheqja e Serbisë fillimisht reagoi e përmbajtur, por situata ndryshoi në mënyrë dramatike javët e fundit. Në shënjestër të deklaratave të ashpra të autoriteteve serbe më së shumti janë gjetur politikanët dhe ambasadorët gjermanë. Kritikat më të ashpra ndaj deklaratave të përfaqësuesve gjermanë i ka bërë kryeministrja serbe Ana Brnabiq, por këtu ka asistuar edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Deklaratat e ambasadorit gjerman në Prishtinë, Jërn Rohde, se barrikadat duhet të hiqen para Krishtlindjeve, kryeministri serb i vlerëson “ose të interpretuara keq, ose ambasadori ka pasur një goditje në tru para intervistës”, dhe i sheh ato “si kërcënim direkt” për serbët”. Ana Brnabiç e cilësoi Viola von Cramon si “sekretare të përgjithshme false e Kombeve të Bashkuara dhe që ka marrë rolin e komandantit të KFOR-it”, ajo reagoi edhe ndaj vlerësimit të ministres së Jashtme gjermane, Analene Berbok se ishte i papranueshëm kthimi i forcave serbe në Kosovë, duke kërkuar shpjegim se “cila rezolutë e OKB-së duhet të respektohet dhe pse rezoluta 1244 po injorohet në rastin e Serbisë?”. Mbështetje kësaj serie deklaratash i dha edhe presidenti i Serbisë, i cili tha se “zoti Rohde është i njohur për deklaratat e tij antiserbe dhe se Gjermania dëshiron dominim të plotë në Ballkan”.
Për gazetarin Nedim Sejdinoviç, amplifikimi i retorikës së ashpër do të thotë, para së gjithash, “përcaktim i pozicionit të ri ndërkombëtar të Serbisë, e cila distancohet nga Perëndimi në kontekstin e krizës se Ukrainës”. Dimensioni tjetër është se qëndrimi antievropian i mediave tani po kthehet dhe po reflektohet edhe në skenën politike. Një moment i veçantë është Ana Brnabiç, e cila thjesht bën garë me shokët e partisë për të thënë atë që Aleksandar Vuçiq mendon me të vërtetë”, thotë Sejdinoviq për DW.
Mendoj se në këto deklarata pasqyrohet frika e partisë në pushtet se mund të hiqet mbështetja, që kanë pasur prej dhjetë vitesh, vlerëson për DW, Naim Leo Beshiri, drejtor i Institutit për Çështje Evropiane.
“Kryeministrja Brnabiq po merr tani rolin e Aleksandar Vulin-it, i cili ka qenë përgjegjës për sulmet ndaj vendeve të rajonit, NATO-s, BE dhe SHBA-së. Në këtë mënyrë Aleksandar Vuçiq po mundohet të testojë terrenin në skenën ndërkombëtare dhe se sa do të zemërohet Berlini për këtë, e që ta qetësojë situatën në mënyrën e tij për disa ditë”.
Nëse do të përpiqeshim të zbulonim përse është pikërisht Gjermania në fokus, bashkëbiseduesi ynë mendon se “presidenti i Serbisë mund të ketë informacione se Gjermania është e vetmuar në qendrimin e saj të ashpër, kur është fjala për njohjen reciproke të Beogradit dhe Prishtinës. Por ky nuk është qendrim i ri i Gjermanisë dhe e vetmja gjë që ndryshon është pikëpamja e re e politikanëve gjermanë, që nuk janë të gatshëm t’u besojnë lehtë premtimeve të Vuçiqit dhe janë të gatshëm të marrin disa masa politike për këtë arsye”, thotë Beshiri për DW.
Situata duket paksa e çuditshme, sepse nga njëra anë presidenti i Serbisë falënderon Gjermaninë për investimet e konsiderueshme dhe numrin e madh të vendeve të punës në kompanitë gjermane, që veprojnë në Serbi, dhe nga ana tjetër Gjermania shihet si një nga qendrat antiserbe në botë.
Nedim Sejdinoviç vëren, se “ka vërtet një ndryshim të dukshëm të marrëdhënieve pas ndryshimit të qeverisë në vetë Gjermaninë dhe se kjo në një farë mënyre mund të shihet si një lloj përgjigjeje ndaj politikës së ndryshuar të Berlinit, i cili ka gjithnjë e më pak mirëkuptim për lëvizjet autoritare të Aleksandër Vuçiçit. Por ky në të vërtetë nuk është shembulli i vetëm i deklaratave kontradiktore të Vuçiçit, që po t’i rendisim të gjitha bashkë ato do të përjashtonin njera-tjetrën”, thekson Sejdinoviq.
Qytetarët e Serbisë e shohin se kjo është një politikë skizofrene, shton Naim Leo Beshiri, por në prapaskenë mund të ndodhë që Vuçiç një gjë u premton partnerëve të huaj dhe krejtësisht ndryshe ia paraqet atë opinionit serb. Mendoj se ai tani bën atë që dëshiron Rusia, e kjo është ruajtja e status quo-së në Kosovë, që të bëhet konflikt i ngrirë, i cili të ngacmohet herë pas here në varësi të nevojave politike të ditës”, thekson drejtori i Institutit për Çështjet Evropiane.
Një kartë që nuk duhet përjashtuar, është edhe përpjeka që Gjermania të paraqitet si armik i madh i Serbisë, thekson Nedim Sejdimoviq.
“Mendoj se ajo nuk përdoret ende shumë, por mund të përdorej më shumë kur bëhet fjalë për vendet e rajonit. Nëse Serbia vazhdon në rrugën e një lloj aleati të Rusisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, ajo kartë e armikut të madh do të përdoret gjithnjë e më shumë dhe me këtë nënkuptoj qëndrimin ndaj gjithë komunitetit ndërkombëtar perëndimor”, thotë Sejdinoviq.
Sondazhet e opinionit publik nga Instituti për Çështje Evropiane tregojnë se Gjermania shihet edhe si mike edhe armike e Serbisë, thekson Naim Leo Beshiri.
“Është e qartë se një ndikim të madh në opinionin publik ka vetë presidenti serb, i cili çdo ditë është mysafir për disa orë në të gjitha frekuencat kombëtare. Ky qëndrim ambivalent është rezultat i politikës së tij. “Para disa muajsh kishim deklaratën e tij dashamirëse për Gjermaninë si mike e Serbisë, e sot kemi deklarata krejtësisht të kundërta nga presidenti dhe kryeministrja e Serbisë”, vlerëson Beshiri.
Drejtori i Institutit për Çështje Evropiane beson se “kjo retorikë do të analizohet në Berlin dhe se atëherë do të shohim pasojat në marrëdhëniet reciproke”.
“Gjermania nuk është më Angela Merkel, dhe imazhi i Vuçiçit si një lloj reformatori është zbehur. Por nuk është vetëm Gjermania që duhet të rishqyrtojë bashkëpunimin me Aleksandar Vuçiqin, një qëndrim i tillë po dëgjohet gjithnjë e më shumë edhe në kryeqytetet e tjera evropiane”, thekson Beshiri.
Nedim Sejdinoviç mendon se “pavarësisht nga retorika e përmendur, marrëdhëniet e ndërsjellta do të përkeqësohen pashmangshëm për shkak të krizës ukrainase dhe se do të ketë gjithnjë e më pak mirëkuptim për situatat e brendshme në Serbi dhe për mungesën e vullnetit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”. Kjo praktikisht mund të nënkuptojë që Serbia do të përfundojë në stolin e rezervave të integrimit evropian – ka të ngjarë pa ndonjë ndëshkim apo sanksion të veçantë – por gjithsesi do të ketë ndikim negativ në ekonominë dhe qytetarët e Serbisë”, përfundon Sejdinoviq.