Vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) që bizneset e mëdha vendore të kalojnë në treg të lirë energjetik, ka shkaktuar shumë pakënaqësi nga kompanitë prodhuese në vend.
Njëri ndër ta është edhe drejtori i fabrikës “Scampa”, Kujtim Gjevori, i cili në Rubikon të Klan Kosovës, tha se fatura e rrymës, kompanisë së tij i ka ardhur 100% më shtrenjtë.
Ai tha se ndikimi vendimi i ZRrE-së është shumëdimensional dhe zinxhiror dhe se nuk është i njëjtë për të gjitha kompanitë në vend.
“Problemi te ne është që çdo ligj apo çdo punë që e bëjmë, e bëjmë duke e marrë të përgjithshme. Dëmi afatmesëm dhe afatgjatë është shumë i madh, sidomos kur llogaritet se cilën industri po e godet. Industria e prodhimit e ka bazë rrymën për të prodhuar. Nëse e bëjmë krahasim me kompanitë tjera tregtare, nuk e kanë ndikimin e njëjtë – e kanë ndikimin e madh, por jo të njëjtë. Për shembull, nëse në prodhim shtrenjtimi i rrymës merr në kosto 10%, është rritur 100 për qind, bëhet 20%. Çka ndikon kjo? Nëse rritet çmimi, ose revidohet në këtë rast sepse ne nuk po i rritim çmimet por po i revidojmë, atëherë kosto e mallit tonë, të prodhuesit vendor, do të rritet edhe për 10%. Ajo do të shkojë te marketet, të cilat e kanë ngarkesën e vet, po supozojmë se do ta rrisin për 5%, atëherë malli ynë rritet për 15%”, deklaroi Gjevori,
Megjithatë, ai thotë se rreziku dhe dëmi nga vendimi i ZRrE-së vjen edhe për faktin se prodhuesit vendorë tregun që e kanë aktualisht, e kanë marrë me shumë mund nga importet. Për pasojë, Gjevori thotë se prodhuesit e huaj përsëri do të kenë çmim më të lirë, “sepse çmimin e rrymës e kanë më të lirë dhe nesër mund ta rikthejnë atë pjesë të tregut që e kanë humbur”.
“Tjera: nëse kompanitë që kanë hyrë në treg të lirë nuk do të mund të mbijetojnë dhe ta humbin tregun, atëherë kompanitë që s’kanë hyrë në treg të lirë do ta marrin punën e tyre. Kurse, punëtorët do të thonë do të kalojnë nga një kompani në tjetrën. Kurse ne, prodhuesit, punëtorët do t’i zëvendësojmë me punëtorë nga vendet e rajonit sepse ne i kemi zëvendësuar, pra e kemi rritur numrin e punëtorëve duke e marrë punën e importit, dhe ky është një dallim shumë i madh”, u shpreh Gjevori.
Dëmi për bizneset, sipas tij, veçse është bërë, teksa foli edhe për humbjen e vullnetit nga prodhuesit vendorë me vendimin e ZRrE-së.