Milani raportohet se ka identifikuar sulmuesin e Arsenalit, Gabriel Martinellin, si një zëvendësues të mundshëm të Rafael Leaos.
Për sulmuesin portugez u raportua se Chelsea kishte bërë një ofertë prej 80 milionë eurosh në afatin kalimtar të verës, por që londinezët dështuan në këtë drejtim.
Leao ishte i lidhur me një kalim edhe te Real Madridi, por që në fund ai mbeti në “San Siro”.
Megjithatë, te Milani thuhet se janë të vetëdijshëm se 23-vjeçari mund të largohet në të ardhmen.
Dhe, sipas “Calciomercato”, kampionët në fuqi të Italisë kanë në listë Martinellin, si një zëvendësues të mundshëm.
Sulmuesi brazilian është titullar i padiskutueshëm në formacionin e Mikel Artetas, teksa këtë sezon e ka nisur në formë të mirë.
21-vjeçari me Arsenalin ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2024, teksa ekziston edhe opsioni për vazhdim të saj edhe për një tjetër sezon.