Korporata metalurgjike NewCo Ferronikeli Complex LLC, njoftoi të premten se ka vendosur ta ndërpresë prodhimin përkohësisht, vetëm katër muaj pasi ishte kthyer në punë pas një pauze të detyrueshme dyvjeçare.
Ferronikeli – i cili ndodhet në qytetin qendror të Kosovës, Drenas, rreth 34 kilometra larg kryeqytetit, Prishtinë – tha se po e ndërpret prodhimin për shkak të rritjes së kostos së prodhimit dhe uljes së çmimeve të nikelit që ajo prodhon.
“Kjo krizë vjen si rezultat i çmimeve të ulëta në tregun botëror të nikelit dhe rrezikut nga një reçesion për mallrat që parashikohet për vitin 2024. Ne detyrohemi të marrim vendimin për ndërprerjen e përkohshme të prodhimit deri në një njoftim të dytë”, thuhet në një komunikatë të kësaj kompanie.
Ajo tha se përkundër “krizave të papërballueshme për ta vazhduar procesin e prodhimit, kompania bashkë me punonjësit e saj do të gjejnë zgjidhje që kjo periudhë e vështirë të mos i dëmtojë 1,000 punonjësit e saj”.
Kjo është hera e dytë që kjo kompani e ndal prodhimin brenda dy vjetëve dhe vetëm katër muaj pasi e kishte rinisur prodhimin.