Kanë kaluar gati pesë vite që kur stadium kryesor i qytetit në Gjilan ka filluar të rinovohet.
Tani e disa muaj janë ndaluar tërësisht punimet në impiantin, i cili ishte paraparë të bëhej model dhe i standartit të kategorisë së katërt të UEFA-së dhe FIFA-së.
Dy klubet e qytetit, Gjilani dhe Drita tashmë janë detyruar të ‘braktisin’ stadiumin e qytetit, në mungesë të kushteve elementare për të zhvilluar një ndeshje kampionale, shkruan Gazeta “Enigma”.
Për herë të parë në histori, dy klubet e këtij qyteti do ta nisin larg stadiumit kryesor fillimin e edicionit të ri të kampionatit dhe me shumë mundësi do ta përfundojnë aty.
Sikurse Gjilani, po ashtu edhe Drita do të zhvendosen në stadiumin ndihmës me bari sintetik në Gjilan, i cili është donacion nga Bashkimi Evropian dhe i ndërtuar saktësisht dhjetë vite më parë.
Humbjet financiare mund të jenë të tmerrshme për klubet gjilanase, pasi që mundësia e inkasimit të biletave, sidomos në ndeshjet derbi është jashtëzakonisht e madhe.
Stadiumi kryesor i qytetit të Gjilanit tashmë është ka mbetur ‘punishte’ që nuk e punon askush, teksa Komuna e Gjilanit ka ndërprerë kontratën me kompaninë “Al Trade” e cila ishte duke e rinovuar stadiumin.
Gazeta “Enigma” mëson se shpejtë do të hedhet në ritenderim projekti dhe renovimi i stadiumit. /Gazeta Enigma/