Gjilani e shpallë “Qytetar Nderi”, Begaj: Kjo tokë ka lindur heronj të shumtë

Gjilani e shpallë “Qytetar Nderi”, Begaj: Kjo tokë ka lindur heronj të shumtë

Komuna e Gjilanit e ka shpallur presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, me titutllin “Qytetar Nderi”.

Përfaqësuesit e partive politike në Gjilan kanë thënë që kjo ditë është e rëndësisë së veçantë pasi po nderohet kontributi i presidentit Begaj.

Ndërkaq, kryetari i Gjilanit Alban Hyseni tha: “Ky është një titull simbolik që vjen si shenjë nderimi për kontributin e dhënë për qytetarët e Kosovës e po ashtu edhe si shenjë falënderimi ndaj Shqipërisë për të gjitha që i ka bërë për Kosovën”.

Presidenti Bajram Begaj tha se “detyra dhe përgjegjësia nga tani e tutje më shtohen”, teksa u shpreh falënderues ndaj këtij titulli.

Me këtë rast, ai tha se ky titull u takon shqiptarëve që në ditët më të vështira u qëndruan pranë familjeve nga Kosova.

“Është e vështirë të gjejë fjalët e duhura për të shprehur mirënjohjen kur pranoj këtë nder. Gjilani, ky qytet i sakrificës më bën sot qytetar të tij, dhe unë e pranoj me përulësi. Ky titull u takon gjithë shqiptarëve që në ditët më të vështira u qëndruan pranë familjeve nga Kosova. Gjilani si çdo qytet i Kosovës e di shumë mirë peshën e sakrificës dhe çmimin e lirisë. Kjo tokë ka lindur heronj të shumtë”, ka thënë i pari i shtetit shqiptar.

Begaj në Kosovë do të qëndrojë deri më 12 prill.

Related Articles