Gjilani synon shitjen me “thirrje publike ndërkombëtare”

Gjilani synon shitjen me “thirrje publike ndërkombëtare”

Kishte shpresë se klubin e futbollit Gjilani do ta merrte shpejtë përsipër dikush, pas dorëheqjes së Florim Zukës nga posti i kryetarit në muajin korrik. Por, përkundër interesimit, nuk kishte blerës dhe nuk ka ende.

Gjendja është e rënduar një prej klubeve më stabile në vitet e kaluara. Futbollistët, trajnerët dhe anëtarët e mbetur te klubi Gjilani, nuk janë paguar tash e disa muaj. Ndaj tyre klubi është futur në borxhe të mëdha, që siç mëson KOHA, janë qindra mijëra euro.

Dhe për të dalë nga kriza e thellë, Gjilani ka nisur procesin e shitjes. Për shitjen e klubit është autorizuar avokati Arsim Vranovci.

Forma e shitjes do të jetë e re për një klub kosovar të sportit. Për shitjen e Gjilanit do të hapet një lloj ankandi ndërkombëtar. Pra, te Gjilani janë të hapur për oferta eventuale nga persona apo kompani nga vende të ndryshme të Evropës. Dokumentacionin të cilin e kanë përgatitur përgjegjësit është i përkthyer në gjuhën angleze, frënge e turke.

“Do të jetë një lloj ankandi i hapur, por jo në formë të ankandit, por do të jetë një thirrje e hapur për blerjen e aksioneve të SC Gjilanit”, ka thënë të dielën për KOHËN, Arsim Vranovci, avokati i autorizuar i klubit Gjilani.

Ai nuk ka treguar se sa është borxhi i Gjilanit ndaj lojtarëve dhe të tjerëve që janë në klub. Nuk ka treguar as shifrën me të cilën synojnë ta shesin klubin.

Vranovci thotë se bëhet fjalë për “milion”.

“Është milion, për shkak edhe të obligimeve”, ka thënë avokati.

“Jemi duke i bërë kalkulimet, pasi janë pasqyrat financiare ku duhet nxjerrë gjitha të dhënat nga disa persona që po merren me këtë çështje e po ashtu edhe pronari aktual. Do të jenë publike borxhet dhe vlera e saktë e shitjes. Para pesë apo gjashtë ditësh e kemi marrë autorizimin për të bërë shitjen e klubit dhe më pas ta vendosim në tabelë vlerën e borxheve për t’i parë kushdo që e blen”.

Klubi i futbollit Gjilani është Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar (SHPK). Prej largimit të Zukës nga posti i kryetarit, klubi vazhdon të mos ketë president dhe kryesi. Të paktën jozyrtarisht. Me gjithë gjendjen jostabile, Gjilani ka pasur rezultate të mira në vjeshtë në Superligë.

Avokati Vranovci ka theksuar se krahas thirrjes publike ndërkombëtare, planifikohet të bëhet edhe një dëgjim publik me bizneset e interesuara të Kosovës për ta marrë në pronësi klubin Gjilani.

Ai ka theksuar se ka pasur diskutime me disa biznese të Kosovës. Por, ende asgjë nuk ka konkrete.

“Planifikojmë të bëjmë edhe një dëgjim në mes të bizneseve në Kosovë, ku do të jemi të hapur për diskutim, që ndoshta disa biznese të mblidhen dhe të bëhen aksionarë, ta blejnë, ose nëse kemi ndonjë investitor serioz të jashtëm do të punojmë në atë drejtim. Diskutime kemi pasur me disa, por kur bëhet ofertë ndërkombëtare duhet të përkthehen pasqyrat financiare në gjuhën angleze, pasi duhet të dihet sa kanë qenë shpenzimet, sa janë obligimet, borxhet e papaguara. Pra, gjitha gjërat e kontabilitetit duhet të vlerësohen sepse të interesuar mund të ketë dhe ka pasur”, është shprehur avokati i autorizuar i Gjilanit.

Për shkak të situatës ende të pazgjidhur, ditë më parë është larguar trajneri Zekirija Ramadani. Ramadani ka thënë se FIFA ia kishte shkëputur kontratën para dhjetë ditëve, mirëpo ai ka pritur për ndonjë ndryshim. Dhe meqë ndryshimi s’ka ardhur, trajneri nga Maqedonia e Veriut ka menduar për të ardhmen e tij. Në rast se nuk bëhet një zgjidhje e shpejtë, rrugën e Ramadanit pritet ta ndjekin edhe lojtarët.

Këtë e pranon edhe avokati i autorizuar i klubit, Vranovci.

“Do të mundohemi të gjejmë një blerës shumë shpejt, që klubi të mos ketë humbje. Trajneri është larguar, pra duhet të punojmë shpejtë në këtë drejtim për ta shitur, që të mbulojmë obligimet dhe të niset një sezon i ri pranveror me ekipin me moton për të siguruar vendin e parë. Nuk e kam të drejtën as guximin të jap afat. I kemi përgatitur format e shitjes, ku të gjithë do të kenë mundësi t’i shohin. Do të jetë ofertë e hapur për shitje. I kemi përgatitur dokumentet dhe po presim të martën të fillojmë të dërgojmë ofertën në gjitha qytetet, shtetet, kanalet ku shiten klubet. Varet se në çfarë forme do të shitet, ne jemi të hapur për të gjitha format. Unë jam avokat i autorizuar për të shitur klubin. I kemi të shkruara kërkesat tona”, ka thënë Vranovci.

Ai do të jetë person i autorizuar i Gjilanit derisa klubi t’i bartet pronarit të ri. Sipas Vranovcit, kushtet janë të favorshme për blerësin potencial.

Për shkak të largimit të Zukës nga posti i presidentit u krijua ideja se Gjilani nuk do të jetë në mesin e favoritëve për ta fituar titullin e kampionit. Ndonëse pa drejtues, Gjilani përfundoi stinorin vjeshtor në vendin e katërt me 27 pikë, sa ka edhe Prishtina.

Klubi shquhet edhe për tifozët pasionantë.

Related Articles