Gjimshiti tregon ilaçin për mallkimin e kombëtares kuqezi

Gjimshiti tregon ilaçin për mallkimin e kombëtares kuqezi

Ndëshkimi në minutat e fundit është si mallkim, që vijon ta ndjekë kombëtaren tonë të futbollit. Kjo u dëshmua edhe në miqësoren e luksit me Spanjën, të luajtur para pak ditësh në Barcelonë, ku kuqezinjtë “flirtuan” me një barazim historik.

Pikërisht në minutat shtesë, iberikët shënuan golin e dytë dhe të fitores 2-1. Diçka që iu djeg shumë kuqezinjve, ndërsa Berat Gjimsiti me eksperiencën e Serie A dhe Ligës së Kampionëve apelon se futbolli mbaron kur vërshëllen tri herë kryesori, jo në minutën e 90-të.

Në konferencën për shtyp, ai nënvizoi: “Besoj se kur ta kesh rezultatin në dorë, në fund nuk ka nevojë për shumë teknikë, por për përqendrim. Duhet të mos bësh gabime dhe të mos e pësosh në fund.

Mbas ndeshjes u mërzitëm të gjithë, por siç e thashë nevojitet përqendrim maksimal. Një ndeshje luhet më shumë se 90 minuta dhe përqendrimi duhet të jetë në maksimum, sidomos me skuadrat e mëdha si Spanja. Duhet të mos rrezikosh në fund, pasi gabimi penalizohet menjëherë.

Menjëherë pas ndeshjes të gjithë ishim të mërzitur, pasi prekëm një moment historik. Të merrnim barazimin në Spanjë do të ishte gjë e bukur. Sidoqoftë, duhet të mësosh nga gabimet dhe të ecësh përpara.

A ndikoi frika ndaj një kundërshtari kaq pestigjioz? Mund të flas për veten më shumë se për të tjerët se si jam ndier. Nuk besoj se ka rol frika në këto ndeshje, pasi i shijon 100%, sidomos kur ke rezultatin në dorë, E përsëris, ndikoi mungesa e përqendrimit. Bëmë gjithçka mirë për 90 minuta, por e humbëm orientimin në 3 minutat shtesë”.

Më tej, një vlerësim për mbrojtjen “made in Italia” të kombëtares sonë, me treshen Gjimshiti-Kumbulla-Ismajli: “Në klubin tim nuk luaj ashtu, të gjithë mbrapa dhe topa të gjatë, besoj se dhe të tjerët nuk janë mësuar të luajnë ashtu futboll, se futbolli po ecën përpara, por në minutat e fundit duhet të mbrohesh.

Besoj se me ndeshjen që bëmë kundër Spanjës tifozët e kanë parë që dhamë gjithçka në fushë. Me Gjeorgjinë do të jetë një ndeshje ndryshe. Edhe pse luajnë shpejt, kualiteti i gjeorgjianëve nuk është i njëjtë si ai i Spanjës”. 

Related Articles