Policia e Kosovës ka arritur që të gjej sërish një sasi të konsiderueshme të armatimit në fshatin Banjskë të Zveçanit, bëjnë të ditur burime të “Mitropol” brenda Policisë së Kosovës.
Kjo sasi e armatimit është gjetur sot dhe dy ditët e mëparshme.
Krejt këto zhvillime vijnë pas sekuestrimit të një sasie armatimi prej mbi 5 milionë eurosh, pas sulmit terrorist të së dielës së 24 shtatorit, ku një grup terrorist i udhëhequr nga Milan Radojiçiq sulmuan dhe lanë të vdekur policin hero Afrim Bunjaku dhe plagosën dy kolegë të tij.
“Mitropol” mëson se në lidhje me sasinë e re të armatimit të gjetur në Banjskë do japin detaje sot drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një konferencë për medie të thirrur sot në ora 15:00 në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut.