Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka deklaruar në emisionin Debat Plus se pas rezultateve pozitive në zgjedhjet lokale, brenda partisë është krijuar një mobilizim i ri dhe më i fuqishëm për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Gjini tha se AAK do të hyjë në garë e vetme, pa koalicione me asnjë subjekt tjetër politik. Sipas tij, Aleanca synon një rezultat dyshifror në këto zgjedhje.
“Aleanca pret një numër dyshifror në zgjedhje… Unë nuk garoj në këto zgjedhje për shkak se veç sa e kam dhënë betimin si kryetar komune dhe nuk kish logjikë me ndodh një gjë e tillë”, u shpreh ai.
Ai sqaroi se nuk do të jetë kandidat, pasi sapo ka dhënë betimin si kryetar komune dhe një garim i tij në këtë proces, sipas vlerësimit të tij, nuk do të kishte logjikë.
Gjini theksoi gjithashtu se struktura e AAK-së në të gjitha nivelet është shumë e motivuar, duke nënvizuar se kryetarët e degëve dhe udhëheqësit nga niveli lokal deri te ai nacional presin një rezultat më të mirë se në zgjedhjet e kaluara.
“Mirëpo secili prej nesh, secili kryetar dege dhe të gjithë udhëheqësit prej nivelit lokal deri te niveli nacional janë shumë të motivuar dhe presim rezultat më të mirë se në zgjedhjet e kaluara”, tha Gjini.
