Gjini ia kthen letrën Kurtit, refuzon takimin, përsërit gjashtë kushtet e Aleancës për themelimin e institucioneve

Gjini ia kthen letrën Kurtit, refuzon takimin, përsërit gjashtë kushtet e Aleancës për themelimin e institucioneve

Gazeta Nacionale ka siguruar letrën që kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ia ka dërguar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në përgjigje të ftesës për takim lidhur me themelimin e institucioneve.

Në letrën e datës 3 gusht 2026, Gjini rikujton se Aleanca e kishte bërë të qartë qëndrimin e saj edhe në përgjigjen e 9 korrikut, duke theksuar se partia nuk ka interes të bëhet pjesë e Qeverisë së Kosovës “në asnjë format”. Sipas tij, Aleanca ka ofruar mbështetje vetëm për themelimin e institucioneve dhe shmangien e zgjedhjeve të reja, duke pasur parasysh edhe zgjedhjen e presidentit.

Gjini shkruan se AAK-ja i ka paraqitur gjashtë prioritete, të cilat, sipas tij, janë në interes jetik për Kosovën dhe qytetarët, por se nuk ka marrë asnjë përgjigje për to. Këto përfshijnë pranimin e projektit të gazit amerikan, nisjen e procedurave për ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill, rritjen e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla nga 30 mijë në 100 mijë euro, lirimin e tokës së punuar nga tatimi në pronë, financimin e plotë të projekteve infrastrukturore të mbetura pezull dhe ndarjen e 800 milionë deri në 1 miliard euro për investime kapitale në Prishtinë.

Në fund të letrës, kreu i Aleancës shprehet se, përderisa nuk ka përgjigje për këto pika, “Aleanca nuk sheh fare arsye që të takohemi në këtë format”.

Kurti sërish “hile” me ftesa, cakton kryeministrinë si vend

Kryetarit të Vetëvendosjes i takon që t’i ftoj partitë politike në takime e të siguroj votat për konstituimin e Kuvendit si dhe formimin e institucioneve. Albin Kurti, që ësthë kryetari i subjektit me më së shumëti vota, vazhdon që të “luaj” me këto ftesa. Në ftesën dërguar Aleancës, ai ka ftuar Kryetarin e saj, Ardian Gjini për t’u takuar në kryeministri.

Ftesa për krejt

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë pranuar ftesë për takim nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Këtë e kanë konfirmuar për Nacionalen, nga PDK dhe Aleanca.

Gjatë paradites së sotme, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, paralajmëroi se Kurti, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, do t’i ftojë në takim LDK-në dhe partitë e tjera parlamentare.

Sipas saj, në takim pritet të diskutohet për konstituimin e institucioneve të reja dhe zgjedhjen e presidentit.

Gjithashtu, edhe Ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca paralajmëroi “negociata të thelluara për të gjitha pozitat”, me LDK-në.

Seanca konstituive e legjislaturës së XI-të është caktuar për 6 gusht.

Related Articles