Pas takimit konsultativ me partitë politike, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe partitë duket se kanë arritur konsensus që zgjedhjet e parakohshme të mbahen më 7 qershor.
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka deklaruar se vendimet përfundimtare priten të merren brenda partisë nga organet drejtuese.
Gjini theksoi se ai është i nominuar për kryeministër nga AAK, por shtoi se ende pritet vendimi zyrtar i partisë.
“Vendimet në AAK i merr Këshilli Drejtues. Jam i nominuar për kryeministër, por presim vendimin e partisë”, ka deklaruar ai.
Ai u shpreh se AAK po përgatitet seriozisht për zgjedhjet e ardhshme, duke synuar më shumë sesa vetëm kalimin e pragut zgjedhor.
“AAK po bëhet gati për betejë, jo për prag, por për një qeveri normale që i ka punët serioze”, tha Gjini.
Duke komentuar situatën politike në vend, ai kritikoi mungesën e rezultateve konkrete nga institucionet aktuale.
“Deri tani kemi parë fjalë të forta, por punë hiç”, u shpreh ai.
Gjini foli edhe për zhvillimet e brendshme në AAK, duke bërë të ditur se më 24 maj partia do të mbajë Kuvendin e Përgjithshëm, ku pritet të qartësohet situata e brendshme dhe drejtimi politik.
Ai shtoi se AAK është e përgatitur të garojë edhe e vetme në zgjedhje, me synimin për t’i ofruar Kosovës një dalje nga situata aktuale politike.
