Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq, ka thënë se ka pasur një marrëveshje për heqjen e barrikadave.
Ai ka thënë elementet e kësaj marrëveshjeje gjenden në deklartatën e përbashkët të BE-së dhe SHBA-së.
“Ftoj qytetarët e Serbisë që të njihen me dy elementet e tjera të bisedimeve që u zhvilluan dhe marrëveshjen e arritur, e cila u materializua përmes deklaratës së përbashkët të BE-së dhe SHBA-së nga njëra anë dhe deklaratës së KFOR-it nga ana tjetër”, thotë Gjuriq.
Më tej, ai ka thënë se ka garancion ndërkombëtar se FSK nuk mund të futet në veri pa miratimin e NATO-së.
“Kjo do të thotë që nga dje për herë të parë kemi garanci ndërkombëtare nga KFOR-i dhe NATO-ja që vlejnë për të gjithë që kanë të bëjnë me dërgimin e forcave të sigurisë së Kosovës në veri me obligim që të konsultohen me komunitetin serb”, shton Gjuriq.
Më tej, ai ka thënë se Serbia ka shkuar një hap më tej në aspektin e mbrojtjes.
“Ata që e njohin ligjin e kuptojnë se tani kemi shkuar një hap më tej në aspektin e mbrojtjes juridike të pozitës së serbëve në veri”, thekson Gjuriq.
Ai ka thënë se ka pasur komunikim cilësor me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Por ne normalisht kemi komunikim cilësor, presidenti Vuçiq ka pasur një kontakt të jashtëzakonshëm në Nju Jork me Jake Sullivan, i cili është këshilltar për sigurinë kombëtare në SHBA”, thekson Gjuriq.