Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, ka takuar sot të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, duke thënë se me ardhjen e Albin Kurtit në krye të qeverisë së Kosovës, pati “një përkeqësim drastik në pozitën e popullatës serbe dhe të tjerave joshqiptare, por edhe në gjendjen e përgjithshme në Kosovë”.
“Regjimi i Kurtit vazhdimisht godet procesin e dialogut nën patronazhin e Bashkimit Evropian dhe zbaton masa represive që çojnë në krijimin e një Kosove monoetnike, e cila drejtpërdrejt i cenon qëllimet e bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Gjuriqi në takim.
I njëjti po ashtu i tha Lajçakut se Beogradi e mbështet draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të hartuar nga BE-ja dhe tha se vazhdon të insistojë në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Brukselit.
“Në Kosovë ka persekutim dhe shkelje sistematike të të drejtave individuale dhe kolektive njerëzore, ekonomike, kulturore dhe politike të komuniteteve joshumicë atje, kryesisht serbe”, citohet të ketë thënë më tutje Gjuriq.
“Serbia është e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në rajon”, shtoi ai. /Gazeta Enigma