Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, ka dalë me një komunikatë për media pasi ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale ndaj ministrit në detyrë Xhelal Sveçlës për veprën penale Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, nga neni 375 paragrafi 2 në nenin 375 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“I akuzuari Xh.S. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk do të kryej vepër penale brenda një viti”, njofton Gjykata.
“I akuzuari Xh.S. është shpallur fajtor, pasi më datë 21.03.2018, në periudhën kohore nga ora 12:10 deri në ora 15:40, në Prishtinë, në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme plenare, kishte përdor bombolë me gaz lotsjellës me përmbajtje të agjentit kimik CS ndaj deputetëve dhe personave të tjerë të pranishëm në sallë. I njëjti, në disa raste gjatë seancës, kishte aktivizuar bombolën dhe kishte hedhur brenda sallës plenare, pa paralajmërim paraprak dhe pa u lënë personave të pranishëm mundësi largimi, duke shkaktuar përhapjen e gazit irritues në hapësirën e mbyllur. Si pasojë, personat e pranishëm ishin detyruar të largohen nga salla dhe seanca plenare ishte ndërprerë.
Obligohet i akuzuari që në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 50 euro si dhe në emër të kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 20 euro, të gjitha këto pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.Pala e dëmtuar, për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontekst të rregullt juridiko-civil.Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda afatit prej 30 (tridhjetë) ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit” përfundon njoftimi./
