Gjykata e Apelit ka ashpërsuar dënimin me burgim ndaj të akuzuarit Fisnik Lajqi, ku ky i fundit akuzohej për plagosjen e nipit të Ramush Haradinajt, Mustafë Ahmetxhekaj.
Dënimi me 1 vit e 8 muaj burgim efektiv dhe 800 euro gjobë ndaj Lajqit, i shqiptuar nga Gjykata Themelore e Pejës, për tentim vrasje, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje, është konsideruar i butë nga Gjykata e Apelit.
Kjo pasi Apeli ka aprovuar ankesën e Prokurorisë së Pejës dhe ndaj tij ka rritur dënimin me burgim në 3 vite e 8 muaj dhe 800 euro gjobë. Një vendim i tillë është marrë nga kolegji i gjykatësve të Apelit, i përbërë nga kryetari Xhevdet Abazi, me anëtarët Afërdita Bytyqi dhe Kreshnik Radoniqi. Deri të ashpërsimi i dënimit ndaj Lajqit, sipas Apelit ishte pasi Gjykata e Pejës, kishte shqiptuar dënim të butë duke mbivlerësuar rrethanat lehtësuese ndërsa rrethanat rënduese nuk ishin vlerësuar objektivisht.
“Kolegji vlerëson se rrethanave të shpjeguara më lart nuk u është dhënë rëndësi në përcaktimin e dënimit dhe të njëjtat ndikojnë që dënimi të jetë me i ashpër dhe jo në kufijtë minimal, kolegji konkludon se gjykata e shkallës se parë ka vlerësuar vetëm rrethanat lehtësuese, duke i mbipeshuar në përcaktimin e dënimit që ka rezultuar në një vendim mbi dënimin që nuk i përgjigjet perspektivës së arritjes se qëllimit të dënimit”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës se Apelit, raporton betimipërdrejtesi.