Gjykata e Mitrovicës cakton ekspertizë gjeodezike për rastin e pronës mes Selim Behramajt dhe Komunës së Skenderajt

Gjykata e Mitrovicës cakton ekspertizë gjeodezike për rastin e pronës mes Selim Behramajt dhe Komunës së Skenderajt

Në seancën e mbajtur më 18 tetor 2024, Gjykata e Mitrovicës urdhëroi që brenda 15 ditësh të përgatitet një ekspertizë gjeodezike për pronën e kontestuar ndërmjet qytetarit Selim Behramaj dhe Komunës së Skenderajt, raporton Enigma.

Eksperti gjeodez Nehat Sahiti u obligua të përpilojë këtë raport, sipas aktvendimit të datës 1 tetor 2024.

Selim Behramaj pretendon se Komuna e Skenderajt i ka rrënuar shtëpinë dhe ia ka marrë pronën në mars 2024, duke e kthyer atë në parking.

Behramaj deklaroi se e ka poseduar këtë pronë që nga vitet ’80 dhe e kishte përfituar nga kompania e ujësjellësit ku punonte.

Në këtë seancë, Behramaj kërkoi që t’i njihet pronësia mbi një pjesë prej 5 ari të kësaj prone dhe të kryhet një ekspertizë nga fusha e ndërtimtarisë. Ai gjithashtu theksoi se prona përfshin edhe një pus: “Edhe bunari është i jemi, gjendet në tokën time,” deklaroi ai.

Avokati i Komunës së Skenderajt, Enver Qerkni, nuk paraqiti kundërshtime gjatë seancës. Gjykata gjithashtu urdhëroi paditësin të paguajë 200 euro për ekspertizën brenda shtatë ditësh, përndryshe vendimi për ekspertizë dhe vendkëqyrje do të shfuqizohet.

Ky rast ka tërhequr vëmendjen që nga marsi 2024, kur Behramaj fillimisht akuzoi Komunën për rrënimin e shtëpisë dhe marrjen e pronës.

Related Articles